Maqedoni

LSDM dhe VMRO – DPMNE akuzojnë njëra-tjetrën për keqpërdorim të mjeteve

05.12.2025 14:36

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, i ka bërë thirrje kryeprokurores evropiane, Laura Kovesi...

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, i ka bërë thirrje kryeprokurores evropiane, Laura Kovesi, që të vizitojë Maqedoninë për të hetuar dyshimet për përvetësim të fondeve evropiane nga programi IPARD. Filipçe tha se në lojë është një shumë prej 130 milionë eurosh. Ai shtoi se e vetmja gjë që po bën Qeveria në lidhje me të gjitha skandalet, veçanërisht skandalin IPARD, është të defokusojë publikun. Sipas tij, në vend të përgjegjësisë pas arrestimit të anëtarit të VMRO-DPMNE-së, drejtorit të Agjencisë për Mbështetje Financiare, po shohim vetëm akuza të kësaj partie në drejtim të LSDM-së. 
 
"LSDM i bën thirrje prokurores evropiane Laura Kovesi të vizitojë Maqedoninë, për t'u njohur personalisht me keqpërdorimet që VMRO-DPMNE po bën me fondet evropiane, përfshirë programin IPARD, i cili tashmë është i qartë, në të cilin janë në rrezik 130 milionë euro. Nuk mund t'u besojmë institucioneve të Qeverisë, presionin e Qeverisë, të cilat me sjelljen e tyre janë mbrojtëse të krimit, dhe se kjo është mbi ligjin dhe mbi interesin publik. Por, faktet janë të qarta - ndodhi përvetësimi më i madh i parave evropiane në Maqedoni, fondeve IPARD, dhe ishin njerëz, anëtarë të VMRO-DPMNE-së, njerëz të afërt me kryeministrin Hristijan Mickoski.", - deklaroi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
 
Ndaj akuzave të Filipçes kanë reaguar nga VMRO-DPMNE. Sipas kësaj partie, është ironike që LSDM dhe Filipçe po flasin për luftimin e krimit. 
 
“A përfunduan 1.3 milionë euro nga prokurimi i drithërave në vitin 2022 në xhepat e Zoran Zaevit, Venko Filipçes dhe Ljupço Nikollovskit? Qeveria e mëparshme e treshes Zaev, Filipçe dhe Nikollovski pagoi 8.6 milionë euro për prokurimin e 20.000 tonëve drithëra. Diferenca në çmimin që këta të tre ngarkuan është plot 1.3 milionë eurosh. Pyetja është pse u pagua një shumë kaq e lartë kur mund të blihej shumë më lirë? A mund të kishin përfunduar këto para në xhepat e dikujt nga maja e Qeverisë së atëhershme të Zoran Zaevit, Venko Filipçes dhe Ljupço Nikollovskit?”,”, - theksoi Valentin Manasievski nga VMRO-DPMNE. 
 
Sipas VMRO-DPMNE-së, qytetarët meritojnë të dinë se ku përfunduan fondet e tyre dhe nëse dikush u pasurua, ndërsa shteti pagoi më shumë për një ushqim bazë, siç është gruri.
 
FITIM KRYEZIU