Botë
Ukrainë, hapa drejt paqes, por luftimet vazhdojnë
05.12.2025 15:03
Ka përfunduar Raundi i fundit i bisedimeve Kiev - Uashington në ShBA....

Ka përfunduar Raundi i fundit i bisedimeve Kiev - Uashington në ShBA. Detajet për momentin nuk bëhen të ditura, por Zelenski zbuloi se takimi ishte i përqendruar në sqarimin e mesazheve nga takimi në Rusi dhe harmonizimin e hapave të ardhshëm drejt një paqeje të drejtë, e cila, siç theksoi ai, është e mundur vetëm me garanci të vërteta sigurie për Ukrainën.
“Do të punojmë në menyrë sa më konstruktive që të jetë e mundur me partnerët tanë, në mënyrë që të arrijmë një paqe të denjë. Vetëm ajo siguron siguri të vërtetë. E kuptojmë që për këtë është e nevojshme mbështetja e partnerëve, si tani ashtu edhe në të ardhmen.”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Tinguj optimistë për përfundimin e luftës erdhën nga nënpresidenti amerikan Vince, i cili shpreson për lajme të mira në javët e ardhshme. Ndërkohë presidenti rus Putin, i cili është në vizitë në Indi për takimin me kryeministrin indian Modi në Nju Delhi, deklaroi se Rusia po punon për një zgjidhje paqësore të konfliktit në Ukrainë.
“Rusia po punon për një zgjidhje paqësore të konfliktit ukrainas. Më dhatë mundësinë të shpjegoj me detaje se çfarë po ndodh në çështjet ukrainase dhe çfarë po bëjmë me disa partnerë të tjerë, përfshirë ShBA-në, në lidhje me një zgjidhje të mundshme paqësore të kësaj krize. Ju falënderoj për vëmendjen tuaj dhe përpjekjet tuaja të drejtuara drejt zgjidhjes së situatës.”, - theksoi presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin.
“India është në anën e paqes. Ne i mbështesim të gjitha përpjekjet për paqe dhe qëndrojmë krah për krah në drejtim të paqes. Konflikti duhet të përfundojë përmes dialogut dhe diplomacisë.”, - u shpreh kryeministri i Indisë, Narendra Modi.
Derisa vizita e Putinit e thekson mbështetjen që Moska gëzon nga aleatë të fuqishëm, partnerët perëndimorë të Zelenskit mbeten fort në anën e Ukrainës.
“Ne qëndrojmë me Ukrainën, me aleatët tanë, pothuajse katër vite me radhë. Do të vazhdojmë ta bëjmë këtë për të siguruar që Ukraina të jetë në pozitën më të fortë të mundshme nëse konflikti vazhdon dhe në pozitën më të fortë të mundshme nëse ka një armëpushim dhe paqe të qëndrueshme.”, - deklaroi kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Kir Starmer.
“Uniteti midis amerikanëve dhe evropianëve për çështjen e Ukrainës është thelbësor. Duhet patjetër të punojmë së bashku. Vetëm kështu do të jemi efektivë. Na duhet ShBA-ja për të arritur paqen. Edhe ShBA-së i duhemi ne për të siguruar që kjo paqe të jetë e fuqishme dhe e qëndrueshme.”, - theksoi president i Francës, Emanuel Makron.
Pavarësisht kërkimit për zgjidhje paqësore, përleshjet e ashpra në front vazhdojnë. Të dyja palët raportojnë për sulme dhe dronë të rrëzuar.
BELINDA KOKA ADEMI
