Maqedoni
Dauti: Pritet ulje e çmimeve të produkteve bazë
06.12.2025 14:27
Çmimet e disa produkteve bazë, përfshirë ato të qumështit, produktet konditore dhe ato të miellit...

Çmimet e disa produkteve bazë, përfshirë ato të qumështit, produktet konditore dhe ato të miellit, po hyjnë në një fazë stabilizimi pas luhatjeve të fundit ad hok, siç ishte rasti i vezëve, thotë afaristi Xhemail Dauti. Ai shton se tregjet globale po tregojnë qartë një trend rënës, i cili pritet të vazhdojë edhe në muajt e ardhshëm.
“Rritjet e fundit të çmimeve të disa artikujve, si rasti i vezëve, kanë qenë ad hoc. Ne e monitorojmë lëvizjen e çmimeve të produkteve të konsumit të gjerë në nivel global dhe po shohim një trend të i uljes së çmimeve të produkteve të qumështit. Ky trend pritet të vazhdojë edhe në periudhën në vijim, duke pasur parasysh rrethanat e krijuara në tregjet globale dhe rajonale, si dhe sasinë e prodhuar. Rënia e çmimeve të produkteve të qumështit po reflekton edhe në produktet e konditorisë.. Edhe produktet e miellit po tregojnë trend rënës. Nuk pritet ndonjë ulje drastike, por drejtimi është i qartë: çmimet po stabilizohen”, u shpreh afaristi Xhemail Dauti.
Dauti: Paga minimale duhet të rritet në 700–800 euro
Sa i përket rritjes së pagës minimale në vendin tonë, Dauti shton se nuk duhet të diskutohet se a do të arrijë në 500 euro por e njejta duhet të rritet në 700 deri 800 euro dhe qeveria të marrë përsipër barrën fiskale.
“Nivieli i pagës minimale të shkojë nga 500 në 700 apo 800 euro, në sektorin privat paga minimale tashmë është më e lartë dhe nuk përdoret realisht nga kompanitë tona. Përgjegjësia kryesore bie te qeveria, e cila duhet të marrë përsipër pjesën e kontributeve dhe tatimit personal për punonjësit që marrin pagën minimale. Kjo do t’u mundësonte kompanive që rritjen e pagës minimale ta bëjnë në mënyrë administrative, pa formula të komplikuara, duke e çuar atë realisht në 700 apo 800 euro”, theksoi Dauti.
Në fund të muajit do të dihet ajo se sa do të rritet paga minimale në kuadër të mbledhjes së këshillit ekonomiko social. Nëse nuk ka ndonjë marreveshje mes paleve atëhere sipas ligjit paga minimale do të rritet në muajin mars për 1600 denarë.
GAZMEND KURTISHI
