Maqedoni

Kongresi i VMRO-DPMNE-së, Mickoski rizgjedhet kryetar i partisë

06.12.2025 15:52

Në Kongresin e 18-të të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski u rizgjodh...

Në Kongresin e 18-të të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski u rizgjodh për një mandat të tretë si kryetar i partisë. Gjatë fjalimit të tij para rreth 850 delegatëve dhe mysafirëve, Mickoski theksoi vizionin e partisë për Maqedoninë deri në vitin 2030, duke ripërsëritur çështjet kyçe, përfshirë ruajtjen e identitetit kombëtar, të cilin e konsideron si të papajtueshëm me negociata. Ai theksoi se Maqedonia duhet të dijë të thotë "jo" për interesat e saj.
 
“Identiteti kombëtar nuk është objekt negociatash; respekti ndaj identiteteve të tjera është një vlerë, por jo në kurriz të identitetit tonë; gjuha, historia dhe kultura janë shtyllat themelore të shtetit; kompromiset në politikën ndërkombëtare mund të jenë teknike, por nuk duhet të jenë thelbësore, dhe dinjiteti shtetëror nuk është retorikë, por politikë praktike”, u shpreh kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
 
Kongresin dhe rizgjedhjen e Mickoskit, e kanë përshëndeture krerë shtetërorë nga rajoni dhe më gjërë. Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, ka uruar Hristijan Mickoskin për rizgjedhjen e tij si kryetar i VMRO-DPMNE-së dhe ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim në procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE.
 
“Pres me kënaqësi përforcimin e bashkëpunimit midis HDZ-së dhe VMRO-DPMNE-së, si dhe midis Kroacisë dhe Maqedonisë. Sic e dini keni mbështetje të madhe nga Kroacia në rrugën drejt Bashkimit Evropian”, theksoi kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq.
 
Në Kongresin e VMRO-DPMNE-së, deputeti i Bundestagut, Gunther Krichbaum, nga CDU dhe ministër për Evropën, theksoi se e ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në Bashkimin Evropian.
 
“E ardhmja juaj qëndron në Europë dhe kjo do të thotë se jamë në anën tuaj sepse është e rëndësishme ta mbështesni vendin tuaj, përkatësisht VMRO-DPMNE-në rrugën europiane”, u shpreh deputeti i Bundestagut, Gunther Krichbaum.
 
Ndërkohë Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban uroi partinë për arritjet e saj në dy vitet e fundit dhe e quajti VMRO-DPMNE “një nga forcat më të suksesshme politike në Evropë”.
 
“Fitore bindëse në zgjedhjet parlamentare, lokale dhe presidenciale. Po ashtu, e keni vendosur atdheun tuaj në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm, të parashikueshëm dhe të sigurt. Pas shumë viteve në opozitë, VMRO-DPMNE tani është bërë një nga, ose ndoshta forca më e suksesshme politike në Evropë”, theksoi Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban.
 
Edhe Antonio Tajani, nënkryetar i Partisë Popullore Evropiane, kryetar i Forza Italia dhe zëvendëskryeministër dhe ministër i jashtëm i Italisë, tha se PPE e mbështet fuqishëm Maqedoninë në rrugën drejt BE-së.
 
Ai shtoi se VMRO-DPMNE është një anëtare e respektuar e PPE-së.Gjatë Kongresit, delegatët shprehën mendimet e tyre mbi gjendjen aktuale të partisë dhe drejtimin që ajo duhet të ndjekë në katër vitet e ardhshme. Sipas dispozitave të Statutit, ky mandat do të jetë i fundit për Hristijan Mickoskin si kryetar i partisë.
 
ARMEND MURSELI