Maqedoni
Mediat britanike, RMV ka nisur bisedimet për pranimin e migrantëve!?
06.12.2025 16:09
Maqedonia ka nisur bisedime formale me Britaninë për pranimin e migrantëve të refuzuar...

Maqedonia ka nisur bisedime formale me Britaninë për pranimin e migrantëve të refuzuar, shkruajnë mediat britanike. Sipas raportimeve, bëhet fjalë për persona të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil në Mbretërinë e Bashkuar e për të cilët Britania do të paguante për çdo migrant që vendi do të pranonte.
Megjithatë Qeveria i hodhi kategorikisht poshtë këto shkrime dhe pretendime, duke i vlerësuar ato si për përdorim të brendshëm politik në Britani.
“Kjo është një shkrim për përdorim të brendshëm politik në Britani. E vetmja e vërtetë është ajo që ambasadori britanik Mattheë Laëson e tha publikisht në maj – Maqedonia nuk do të pranojë migrantë.” thuhet në komunikatën e qeverisë.
Qeveria mohon, opozita akuzon
LSDM akuzoi se pushteti po e shndërron Maqedoninë në kamp migrantësh.
“Patrioti i rremë Mickoski, i cili betohej se ‘nuk ka shans’ të ketë kampe, po negocion ta kthejë Maqedoninë në depo për migrantë. Ndërsa po e vjedhin popullin përmes tenderëve milionësh të firmave të tyre, kjo është tradhtia e re e Mickoskit dhe pushtetit të tij” thuhet në komunikatën e LSDM-së.
VMRO-DPMNE bëri thirrje që të mos krijohet panik bazuar në artikuj gazetareskë.
“Maqedonia nuk ka, nuk planifikon dhe nuk negocion për hapjen e kampeve të migrantëve”, thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE-së.
Ambasada britanike, bashkëpunojmë për të luftuar migracionin e parregullt
Ambasada britanike iu referua Marrëveshjes për partneritet strategjik, pa u futur në raportimet mediatike për marrëveshjen e supozuar për transferimin e migrantëve në vend.
“Dy vendet bashkëpunojnë përmes Grupit të përbashkët të punës për migracionin për të luftuar migracionin e parregullt dhe krimin e organizuar të imigracionit, duke forcuar sigurinë dhe duke u përballur me rrjetet kriminale. Ne qëndrojmë fort me aleatin tonë maqedonas në NATO për avancimin e prosperitetit, sigurisë dhe rritjes ekonomike”, theksoi ambasada britanike.
Në pranverë, ambasadori britanik Laëson theksoi se nuk bëhet fjalë për pranimin e migrantëve, por për bashkëpunim policor, luftë kundër rrjeteve kriminale dhe shkëmbim të të dhënave të inteligjencës.
ARMEND MURSELI
