Botë

Kosovë, finalizohen listat e kandidatëve

06.12.2025 16:26

Një ditë para përfundimit të afatit për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë...

Një ditë para përfundimit të afatit për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë, partitë politike në Kosovë janë në përfundim e sipër. VV, LDK dhe PDK theksojnë se listat do të kenë një kombinim të emrave të rinj dhe figurave të njohura politike.
 
Deri më 7 dhjetor, partitë do të dorëzojnë listat për zgjedhjet e 28 dhjetorit, ndërsa Albulena Haxhiu e LVV-së njoftoi se 50% e listës do të vijnë nga qendrat e partisë dhe 50% nga kryesia dhe Albin Kurti.
 
 
“Ne jemi në përgatitjet e fundit sa i përket listës zgjedhore. Data 7 është afati i fundit kur ne do të dorëzojmë listën. Natyrisht, ne si LVV kemi pasur thirrjet te të gjithë anëtarët e LVV-së që kanë interes të kandidojnë dhe adresojnë të gjitha procedurat në raport me këtë. 50 për qind e listës përbëhet nga propozimet që vijnë nga qendrat dhe 50 për qind nga kryesia dhe kryetari Albin Kurti”, thuhet në komunikatën e Lëvizjes Vetëvendosje.
 
Ndërkaq, nga PDK thonë se do të kenë edhe emra të rinj në listën zgjedhore, krahas figurave eminente të partisë.
 
“PDK do të vazhdojë me traditën që lista e saj të ketë emra të rinj. Do të ketë shumë freskime dhe prurje të reja përmes të cilave ne besojmë dhe shpresojmë që do të kemi një votë të re. Ne e kemi kandidatin për kryeministër, Bedri Hamzën. Ka qenë praktikë e etabluar në PDK që ata që kanë qenë deputetë mund të garojnë sërish për deputetë”, thuhet në komunikatën e PDK-së.
 
Edhe LDK, është duke kompletuar listën, e cila sipas tyre,do të rifreskohet, për dallim nga zgjedhjet e fundit. 
 
“LDK-ja është duke kompletuar listën për kandidatë për deputetë, por edhe kandidatët tanë që janë për ekzekutiv dhe udhëheqësin e listës, kryetarin Abdixhiku, që është i nominuar për kryeministër të Kosovës. Mendoj se kësaj here do t’ia dalim shumë më mirë sepse kemi një listë të rifreskuar, një vizion të qartë. Ish-deputetët e legjislaturës së nëntë patjetër që do të jenë, secili prej tyre që ka ambicie do të jetë në këtë listë pasi kanë fituar së voni edhe ata vota”, thuhet në komunikatën e LDK-së. 
 
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 28 dhjetor.
 
FITIM KRYEZIU