Botë

Ukraina dhe SHBA, kërkojnë angazhim real për paqe

06.12.2025 16:48

Ukraina dhe SHBA i kërkuan Rusisë të tregojë se është vërtet e gatshme...

Ukraina dhe SHBA i kërkuan Rusisë të tregojë se është vërtet e gatshme për një paqe afatgjatë. Kjo kërkesë erdhi pas një takimi të suksesshëm në Majami, ku u tha se kishte përparim në bisedimet për t’i dhënë fund luftës.
 
Edhe Putini e quajti shumë të dobishëm takimin pesëorësh me Vitkof dhe Kushner në Kremlin. Ndërkohë që pwrpjekjet diplomatike vazhdojnë, komandanti i ushtrisë ukrainase akuzoi Moskën se po i përdor negociatat e paqes si justifikim për të pushtuar edhe më shumë territor.
 
“Ata vazhdojnë t’i shtyjnë trupat e tyre përpara për të marrë sa më shumë nga territori ynë, nën mbulesën e negociatave. Paqja është paqe pa parakushte, pa hequr dorë nga territori. Kjo do të thotë armëpushim dhe më pas negociata, pa asnjë kusht. Vetëm një paqe e tillë do të jetë e drejtë. Shpresojmë që partnerët dhe aleatët tanë evropianë, nëse është e nevojshme, të jenë të gatshëm të sigurojnë gjithçka që duhet për luftën tonë të drejtë kundër agresorit”, u shpreh komandanti i lartë i forcave të armatosura të Ukrainës, gjenerali Oleksandr Sirski.
 
Në Ditën e Forcave të Armatosura, Zelenski theksoi se përpjekjet e tyre luajnë rol të rëndësishëm në forcimin e pozicionit të Ukrainës në bisedimet e paqes.
 
“Ushtarët ukrainas kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë shumë për një Ukrainë që ka mësuar të mos ketë frikë dhe që nuk do të dorëzohet; për një Ukrainë që nuk do të harrojë, nuk do të falë, dhe që një ditë do të lulëzojë përsëri”, theksoi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
 
Paralelisht me diplomacinë, në front vazhdojnë sulmet ajrore ruse. Përsëri është goditur infrastruktura kritike. Kombet e Bashkuara paralajmëruan se pas goditjes me dron është dëmtuar kupola mbrojtëse në Çernobil, e cila tani nuk siguron më izolim të plotë nga rrezatimi.
 
ARMEND MURSELI