Maqedoni
“Strategjia Maqedonia 2030” e VMRO-DPMNE-së, Milloshovski: Kapitull i ri për stabilitet dhe zhvillim të vendit
07.12.2025 14:04
VMRO-DPMNE në kongresin e saj të 18-të e miratoi strategjinë ‘Kapitull i ri – Maqedonia 2030’...

VMRO-DPMNE në kongresin e saj të 18-të e miratoi strategjinë ‘Kapitull i ri – Maqedonia 2030’. Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski tha se kjo paraqet një vizion për një Maqedoni moderne, stabile dhe të orientuar drejt Evropës, me një drejtim politik dhe zhvillimor të qartë për dekadën e ardhshme.
Sipas tij, strategjia synon largimin nga vendimet afatshkurtra dhe ndërtimin e një sistemi afatgjatë të menaxhimit, bazuar në institucione të forta, ekonomi konkurruese dhe shoqëri me vlera e vetëbesim kombëtar.
“Dokumenti e pozicionon VMRO-DPMNE-në si një forcë politike të gatshme të marrë përgjegjësinë dhe rolin për këtë udhëheqje shtetformuese. Dhe kjo, sigurisht, nuk është një listë dëshirash parazgjedhore të një fushate politike, por një dokument me synime të qarta që do të ishin trajektore kombëtare për 10–15 vitet e ardhshme. Ambicia kryesore është që, sipas kësaj Strategjie, Maqedonia deri në vitin 2030 të bëhet një vend që krijon stabilitet, vlerë të shtuar ekonomike dhe pjekuri institucionale, me një identitet kombëtar që respektohet dhe nuk kushtëzohet nga politika ditore”, u shpreh deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski.
LSDM: Është propagandë, VMRO përgatitet për zgjedhje në pranverë
Nga LSDM, programi “Maqedonia 2030” i VMRO-DPMNE-së shihet si propagandë. Ata thonë se partia nuk ka pasur ndryshime reale që nga koha e Gruevskit dhe Mijallkovit, dhe se Mickoski synon të ruajë pushtetin edhe për katër vite për të siguruar amnisti dhe mbrojtje për veten dhe bashkëpunëtorët.
“Kush nuk e kupton se deklaratat “në gjashtë muajt e ardhshëm do të ketë ndryshime” janë gënjeshtër, le të mendojë: planifikojnë zgjedhje në pranverë, për çfarë ndryshimesh flasin? Mickoski përpiqet të kopjojë diçka nga ndryshimet në LSDM, por vetëm si maskim. Qëllimi i tij është tjetër. Ai do t’i shtyjë mashtrimet e tij kozmetike brenda partisë, ashtu siç bën edhe në Qeveri. E njëjta histori, vetëm e paketuar ndryshe”, thuhet në komunikatën e LSDM-së.
Nga LSDM shtojnë se VMRO-DPMNE po përgatitet për zgjedhje në pranverë me qëllim të ruajtjes së pushtetit dhe shmangies së përgjegjësisë. Sipas tyre, udhëheqësit synojnë amnisti, izolimin e Maqedonisë dhe vazhdimin e praktikave të dëmshme, ndërsa pengohet rruga evropiane përmes krizave të qëllimshme.
ARMEND MURSELI
