Maqedoni

Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, afati për listat përfundon të dielën

07.12.2025 14:38

Të dielën në mesnatë do të përfundojë afati dy-javor për subjektet politike...

Të dielën në mesnatë do të përfundojë afati dy-javor për subjektet politike që të dorëzojnë listën me emrat e kandidatëve për deputetë në KQZ, me të cilët do të garojnë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Deri më tani, KQZ ka certifikuar 23 subjekte politike, prej të cilave 17 parti politike; 3 koalicione; 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.
 
Jashtë certifikimit nga KQZ ka mbetur partia Lista Serbe, e cila është ankuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, pas dorëzimit të kandidaturave për deputetë, ky institucion do të ndërmarrë veprimet e radhës për të verifikuar përshtatshmërinë e kandidatëve nëse përmbushin kriteret ligjore.
 
“Deri më 7 dhjetor 2025, subjektet politike që kanë aplikuar për certifikim të pjesëmarrjes në zgjedhje, duhet të dorëzojnë përmes platformës listën e tyre me emrat e kandidatëve për deputetë të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Në përmbushje të detyrimeve ligjore lidhur me përshtatshmërinë/aftësinë e kandidatëve për t’u certifikuar, KQZ, nëpërmjet Zyrës, do të dorëzojë në disa institucione kërkesat e veçanta së bashku me listën e kandidatëve që duan të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje, me qëllim të verifikimit të tyre nëse janë në përputhje me nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme”, u shpreh zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
 
KQZ poashtu ka raportuar se ka miratuar mbi 70 mijë aplikime për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. 
 
“Sipas të dhënave preliminare, gjatë periudhës 11-ditore (26 nëntor – 6 dhjetor) përmes platformës elektronike të KQZ-së, janë pranuar mbi 84.700 aplikime për regjistrim për votim jashtë Kosovës, prej të cilave janë aprovuar rreth 71.900 ndërkaq janë refuzuar rreth 6.700”, theksoi Elezi.
 
Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit të këtij viti, KQZ-ja pati regjistruar afro 105 qytetarë në diasporë për të votuar në atë proces. Në ato zgjedhje, Kosova e ka organizuar për herë të parë votimin fizik nëpër përfaqësitë diplomatike, përkatësisht në 16 ambasada dhe 14 konsullata në 19 shtete të ndryshme të botës.
 
FITIM KRYEZIU