Botë
Sulme të ashpra në Ukrainë, vazhdojnë përpjekjet diplomatike për negociata paqësore
07.12.2025 16:43
Edhe pse po zhvillohen përpjekje diplomatike për negociata paqësore...
Edhe pse po zhvillohen përpjekje diplomatike për negociata paqësore, Rusia vazhdoi sulmet ajrore ndaj Ukrainës gjatë natës, disa orë pasi Zelenski njoftoi se kishte pasur një bisedë shumë konstruktive telefonike me ekipin negociator të Trump pas takimeve tre-ditore në Florida. Qyteti qendror ukrainas, Kremenchuk, u sulmua me dhjetëra dronë dhe raketa hipersonike.
“U zgjova nga zëri i dronëve që fluturonin mbi konvikt. Pas goditjes, u ndërpre energjia elektrike dhe ngrohja, pastaj edhe uji. Zbritëm në katin e parë dhe qëndruam atje deri në orën 3 të mëngjesit, pastaj u kthyem lart. Por shpërthimet nuk ndaluan, vazhduan deri në orën 5 të mëngjesit”, u shpreh një grua e zhvendosur.
“Qëndronim në korridor, ishte errësirë totale. Gratë e moshuara nuk mund të dilnin, kështu që të gjithë qëndruam në korridor. Në fillim shpërthimet ishin më të buta, pastaj u bënë më të forta dhe më të forta. Imagjinoni çfarë paniku ishte”, theksoi banroja e Kremenchukut.
Ndërkohë, Rusia ka përshëndetur Strategjinë e re Kombëtare të Sigurisë së SHBA-së si një hap pozitiv për marrëdhëniet dypalëshe. Strategjia thekson se përfundimi i armiqësive është i nevojshëm për stabilizimin e ekonomive evropiane, parandalimin e eskalimeve të padëshiruara ose zgjerimit të luftës, dhe fton për stabilitet strategjik me Moskën.
“Rishikimi i administratës së Trumpit, e cila nuk e përmend më Rusinë si një kërcënim të drejtpërdrejtë, është një hap pozitiv. Moska do të analizojë me kujdes strategjinë e përditësuar, e cila ndryshon ndjeshëm nga qasjet amerikane të mëparshme ndaj Rusisë”, u shpreh zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov.
Rusia ka njoftuar se kishte shkatërruar 77 dronë ukrainas në disa lokacione gjatë natës së kaluar. Disa prej tyre u shkatërruan në rajonin e Saratovit, ndërsa të tjerët në rajonin e Rostovit.
ARMEND MURSELI
