Shqipëri, 35 vite nga lëvizja studentore

08.12.2025 15:37

Në 35-vjetorin e lëvizjes studentore të Dhjetorit ’90...

35 vite më parë, më 8 dhjetor të vitit 1990 shpërtheu revolta studentore, një lëvizje paqësore që do të shënonte fundin e regjimit “Guximi i tyre, rrëzoi perden e hekurt që ndante Shqipërinë nga Evropa,”  - tha Presidenti Bajram Begaj, i pari zyrtar i lartë që uroi Ditën e Rinisë.

 “Si sot, 35 vjet më parë, në rrugët e Tiranës ushtoi thirrja e studentëve idealistë: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!”. Guximi dhe lëvizja rinore e Dhjetorit ’90 i hapën rrugën Shqipërisë europiane. Çdo hap që hedhim në këtë rrugëtim nderon guximin rinor që rrëzoi perden e hekurt që e ndante Shqipërinë nga Evropa.”

Demokratët dhe ish-studentë të dhjetorit u kthyen si çdo vit në Qytetin Studenti pranë shtatores së Azem Hajdarit, një prej drejtuesve kryesorë të lëvizjes që nisi prej aty.

Sali Berisha u kërkoi të rinjve të rrëzojnë diktaturën e re të Edi Ramës.

“Unë kam besimin më të madh se Gjenerata Z e të rinjve shqiptare, trashëgimtare e idealeve të rinisë studentore të dhjetorit 1990, do përmbushë misionin e saj.” – tha Sali Berisha.

Por, ish-studenti i dhjetorit, Osman Stafa, i i kërkoi Berishës që së pari demokratët duhet të pastrojnë radhët e tyre.

“Ne kemi nevojë të pastrohemi doktor Berisha, duhet të jemi vetvetja.” – deklaroi Osman Stafa.

8 dhjetori u shpall festë kombëtare në vitin 2009, me vendim të Kuvendit, në nderim të studentëve të dhjetorit te vitit ‘90 dhe rinisë që u bë zëri kryesor i ndryshimit historik. (Luljeta Ndoka, TVM2)