VMRO paraqet strategjinë Maqedonia 2030, LSDM e quan propagandë dhe manipulim
VMRO - DPMNE prezantoi shtyllën e parë të strategjisë "Maqedonia 2030"...

VMRO - DPMNE prezantoi shtyllën e parë të strategjisë "Maqedonia 2030". Valentin Manasievski nga kjo parti, tha se kjo shtyllë ka të bëj me sigurinë, stabilitetin shtetëror dhe fuqinë ekonomike.
“Në një kohë të ndryshimeve të mëdha gjeopolitike, sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve hibride, siguria bëhet themeli i çdo politike tjetër shtetërore. Prioriteti i parë është një ushtri moderne me standarde reale të NATO-s: përmirësim teknologjik, sisteme bashkëkohore komanduese dhe zhvillim të njësive për mbrojtje kibernetike. Prioriteti i dytë është modeli kombëtar për siguri kibernetike. Nevojitet qendër kombëtare për rezistencë digjitale, protokolle dhe standarde të qarta që do t’i mbrojnë institucionet, bankat dhe infrastrukturën kritike. Prioriteti i tretë është mbrojtja nga kërcënimet hibride dhe dezinformatat. Dhe prioriteti i katërt, sistem modern për menaxhim me kriza”. – tha Valentin Manasievski nga VMRO-DPMNE.
Ky program sipas LSDM-së është propagandë dhe manipulim për të devijuar vëmendjen nga skandalet dhe korrupsioni.
“Taktika që u tregua katastrofale në Serbi, tani po fillon të zbatohet edhe në Maqedoni. Fatkeqësisht për VMRO-DPMNE populli tashmë i sheh të gjitha. Populli i Maqedonisë nuk është i verbër, e aq më pak i marrë. Këtë skenar e kemi parë prej kohësh. Po ashtu e kemi parë prej kohësh “patriotizmin” e tyre dhe kujdesin e supozuar për atdheun. E rëndësishme është se vazhdimisht do të rrahin gjoks me tregime nacionaliste, me qëllim që ta ndajnë shoqërinë në “maqedonas të vërtetë” dhe ‘tradhtarë’. Nuk duan një Maqedoni evropiane, por një vend të izoluar, pikë të zezë të Evropës.” – thonë nga LSDM.
Përplasja mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së po intensifikohet, me akuza të ndërsjella. LSDM paralajmëron publikimin e “bombave” të reja që, sipas tyre, do të zbulojnë lidhje kriminale të funksionarëve të VMRO-DPMNE-së.
Tensionet midis dy partive rriten, duke reflektuar klimën e ndezur politike në vend. (Armend Murseli, TVM2)
