Thyhet armëpushimi mes Tajlandës dhe Kamboxhias, ka të vrarë dhe të plagosur

08.12.2025 19:18

Armëpushimi mes Tajlandës dhe Kamboxhias është thyer...

Armëpushimi mes Tajlandës dhe Kamboxhias është thyer. Tymi ngrihet përsëri mbi kufirin e kontestuar, ndërsa të dy vendet akuzojnë njëra-tjetrën për një sulm fillestar. Bangkoku thotë se sulmet ajrore ishin në përgjigje të vrasjes së njërit prej ushtarëve të saj dhe plagosjes së katër të tjerëve, duke akuzuar Kamboxhian për mobilizimin e armëve të rënda dhe rigrupimin e njësive.

“Tajlanda do të mbajë angazhimin më të lartë për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të kombit, në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe të drejtën për vetëmbrojtje legjitime."- tha Kryeministri i Tajlandës, Anutin Charnvirakul.

“Tajlanda u përgjigj në përputhje me strategjinë tonë të reagimit duke u përqendruar në objektivat ushtarake. Kjo na lejoi të kufizonim fushëveprimin dhe shkallën e dëmit për të ndaluar sulmet kamboxhiane.” – deklaroi Zëdhënësi i ushtrisë tajlandeze, Vintai Suvare.

Autoritetet në Phnom Penh thanë se kishte viktima civile, duke fajësuar Tajlandën për përshkallëzimin, duke thënë se nuk kishte arritur t'i përgjigjej sulmeve.

Ata i bënë thirrje Bangkokut të ndërpresë armiqësitë dhe komunitetit ndërkombëtar të reagojë fuqishëm.

“Forcat kamboxhiane nuk janë përgjigjur ende, ne i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar të dënojë fuqimisht shkeljen e Deklaratës së Përbashkët mbi Marrëveshjen e Paqes midis Kamboxhias dhe Tajlandës dhe veprimet e përsëritura të paligjshme të Tajlandës, duke kërkuar që ajo të mbahet plotësisht përgjegjëse për këto shkelje flagrante." – u shpreh Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Kamboxhias, Mali Socheata.

Në hijen e përleshjeve të fundit - civilë të pafajshëm. Mësimet në Kamboxhia u pezulluan, nxënësit e shkollave u evakuuan. Banorët strehohen dhe largohen nga zona kufitare.

Konflikti u përshkallëzua vetëm gjashtë javë pas një marrëveshjeje armëpushimi të ndërmjetësuar nga Malajzia dhe Presidenti i SHBA-së Trump. Ndërmjetësit, thellësisht të shqetësuar, bënë thirrje për përmbajtje maksimale nga të dyja palët. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)