Botë
Zelenski përjashton mundësinë e lëshimeve territoriale
09.12.2025 12:07
Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski, tha se Kievi “nuk ka të drejtë morale” që t’i japë territor Moskës...

Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski, tha se Kievi “nuk ka të drejtë morale” që t’i japë territor Moskës, teksa Uashingtoni kërkon kompromise.
Zelenski shkroi se pas takimit të tij më 8 dhjetor në Londër me kryeministrin britanik, Keir Starmer, presidentin francez, Emanuel Makron dhe kancelarin gjerman, Fridrih Merz, se ai i kishte “informuar mbi kontaktet tona me Shtetet e Bashkuara dhe mbi punën për të gjitha propozimet që aktualisht janë në tryezë. Është e rëndësishme që të punojmë së bashku mbi të gjitha dokumentet, përfshirë kornizën e përgjithshme të paqes, garancitë e sigurisë dhe rimëkëmbjen e Ukrainës pas luftës”, theksoi ai.
“Fati i Ukrainës është fati i Evropës.”, shkroi në rrjetet sociale kancelari gjerman, Fridrih Merz. “Askush nuk duhet të ketë asnjë dyshim: Mbështetja jonë nuk do të dobësohet”.
Gjatë ndalesës së tij të radhës në Bruksel, Zelenski u takua me kreun e NATO-s, Mark Rute, presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen, dhe presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Kosta.
“Ne diskutuam në detaje për punën tonë me partnerët amerikanë mbi hapat drejt paqes, garancitë e sigurisë dhe forcimin e qëndrueshmërisë sonë. Po ashtu, biseduam për nismën PURL dhe kredinë për rindërtim.”, shkroi Zelenski në rrjetet sociale pas takimit në Bruksel.
“Ndërsa bisedimet për paqe po vazhdojnë, BE-ja mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj për Ukrainën. Propozimet tona për financim janë në tryezë.”, tha Ursula von der Lejen pas takimit me presidentin ukrainas.
“Qëllimi është një Ukrainë e fortë, si në fushëbetejë ashtu edhe në tryezën e negociatave. Evropa duhet të vazhdojë të kontribuojë në të gjitha përpjekjet për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme për Ukrainën.”, përfundoi shefja e KE-së.
