Botë
Kamboxhia e Tajlanda sërish përleshje në kufi, mijëra civilë largohen nga zonat e luftimeve
09.12.2025 12:27
Presidenti i Senatit të Kamboxhias, Hun Sen, u zotua sot se vendi i tij do të zhvillojë një luftë të ashpër kundër Tajlandës...

Presidenti i Senatit të Kamboxhias, Hun Sen, u zotua sot se vendi i tij do të zhvillojë një luftë të ashpër kundër Tajlandës, teksa një ditë e dytë përplasjesh të përhapura përgjatë kufirit detyroi dhjetëra mijëra njerëz të largoheshin nga zonat e rrezikshme.
Konflikti i mëparshëm kishte shpërthyer për shkak të pretendimeve të diskutueshme territoriale, duke lënë dhjetëra civilë e ushtarakë të vrarë nga të dyja palët dhe duke shkaktuar evakuimin e mbi 100.000 banorëve.
Ushtria tajlandeze njoftoi se trupat kamboxhiane kishin goditur me artileri një fshat në provincën Sa Kaeo të martën në mëngjes, fatmirësisht pa shkaktuar viktima. Tajlanda akuzon Kamboxhinë gjithashtu për hapjen e zjarrit ndaj trupave të saj të dielën dhe të hënën, teksa secila palë ia faturon tjetrës të shtënat e para.
“Kamboxhia dëshiron paqe, por është e detyruar të luftojë për të mbrojtur territorin e saj.” tha Hun Sen, i cili megjithëse nuk është më kryeministër që prej vitit 2023, konsiderohet gjerësisht si drejtuesi de facto i vendit. Ushtria kamboxhiane njoftoi se luftimeve të reja kanë humbur jetën shtatë civilë dhe janë plagosur 20 të tjerë. Nga ana tajlandeze, një ushtar është vrarë dhe 29 të tjerë janë plagosur, sipas një zëdhënësi të ushtrisë. Tajlanda kishte kryer dje sulme ajrore përgjatë vijës kufitare, të cilat i përshkroi si veprime mbrojtëse që synonin instalime ushtarake kamboxhiane. Sipas tij, operacionet do të vazhdojnë “derisa sulmet të ndalen”.
