Propozim-buxheti i plotësuar për vitin 2026, Koçoska: Porosi ekonomike për stabilitet

09.12.2025 13:52

Kuvendi nisi debatin për propozim-buxhetin...

Kuvendi nisi debatin për propozim-buxhetin e plotësuar për vitin 2026. Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska, tha se vendi po vazhdon me stabilitetin makroekonomik, konsolidimin fiskal dhe po sigurohet rritje ekonomike.

Ajo nga deputetët kërkoi që në pesë ditët e ardhshme debat të flasin me argumente që do të shpijnë drejt zgjidhjeve më të mira.

“Buxheti është përpiluar në bazë të rezultateve më të mira ekonomike dhe pritjet për vazhdimin e trendeve pozitive. Kemi mbajtur llogari për projeksionet, planifikimet efikase, me qëllim që të sigurojmë zhvillim stabil, funksionim të institucioneve dhe pagesë me kohë e të gjitha obligimeve. Ky buxhet nuk është vetëm dokument me numra dhe tabela, por është një porosi ekonomike për stabilitet, besim dhe zhvillim.  Është një fakt i qartë për menaxhim të përgjegjshëm me financat publike të cilin po e vazhdojmë me kapacitet të plotë.”, - deklaroi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska.

Avokati i Popullit ankohet për shkurtesat

Zyra e Avokatit të Popullit e pakënaqur me hisen në arkën shtetërore për vitin 2026. Këtij institucioni iu janë shkurtuar 45 milionë denarë.

“Në pjesën më të madhe shkurtesa është në pjesën e rrogave, pjesën teknike, në pjesën e punës që i takon zyrës së Avokatit të Popullit për mirëmbajtjen dhe konferencat e ndryshme, të cilat i kemi me Kombet e Bashkuara, OSBE-në dhe institucionet e tjera brenda dhe jashtë shtetit. Në pjesën më të madhe janë edhe ndaj qirave, të cilat i kemi si obligim për gjashtë zyrat regjionale dhe zyrën kryesore.”, - u shpreh zëvendësavokati i Popullit, Ylber Rufati.                                       

Në seancë mungonin përfaqësues të Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorisë për të dhënë opinionin e tyre për buxhetin e planifikuar për aparatin e drejtësisë. Paraprakisht gjatë debatit në komisionin amë për financa dhe buxhet, nga gjithsej 200 amendamente u pranuan vetëm gjashtë.

Me këto amendamente sigurohen financa për përforcimin kadrovik të Agjencisë Teknike Operative, rikonstruim  dhe zgjerim të mbikalimit në rrugën Shtip-Çardakli, hapjen e tre qendrave psiko-sociale për të rinj, pajisjen e qendrave për ndihmë të shpejtë me aparatura dhe rikonstruimin e sallës sportive në shkollën fillore “Goce Dellçev” në Gostivar.

Me projektbuxhetin e 2026-ës në vlerë prej 6.73 miliardë euro, të hyrat e përgjithshme do të jenë 374.9 miliardë denarë, ndërkaq shpenzimet 414.2 miliardë denarë. Rritja e prodhimit të brendshëm bruto është projektuar në 3.8%. (Meral Ismaili, TVM2)