Vardari përfundon në vendin e parë, Struga T.L me sulmin më të mirë

09.12.2025 14:09

Me zhvillimin e ndeshjeve të javës së 16-të, ka marë fund sezoni vjeshtor nga kampionati 2025/26. Pas këtyre takimeve skuadrat elitare shkojnë në pushim dimëror...

Sezoni vjeshtor i kampionatit të sivjem uli siparin me një thriller të vërtetë në Gostivar. Ndeshjen e fundit të vjeshtës e luajtën Arsimi dhe Pelisteri, që u ndanë me barazimin 3-3, një ndeshje me plot kthesa, me euro- gola dhe kartonë të kuq.

Skuadra e Vardarit, më plotë meritë është shpallur kampione vjeshtore në LPFM. Skuadra e drejtuar nga Sedllovski, arriti këtë sukses duke grumbulluar 42 pikë. Nga 16 ndeshje të zhvilluara, arriti 13 fitore, 3 barazime dhe është e vetmja që nuk ka humbje. Nënkampione është shpallur skuadra e Strugës me 41 pikë.

“Liqenasit” me 42 gola të shënuar dhe 11 gola të pranuar kanë sulmin dhe mbrojtjen më të mirë në këtë vjeshtë. Po ashtu futbollistët e Struga T.L dhe Vardarit, në distancë po zhvillojnë garën për “këpucën e artë”.

I pari është sulmuesi i struganëve Kompaore me 12 gola, aq sa ka edhe Mato i Vardarit. I treti në këtë renditje është Shefit Shefiti i Arsimit në 11 ndeshjet e vjeshtës ia ka dalë të shënojë 10 gola.

Nga “Top10” golashënuesit më të mirë vetëm tre kanë luajtur në 16 ndeshje. Maleski i Strugës 16/8, Bunjamin Shabani po nga Struga TL, ka 16/6 dhe Azer Omeragiç i Vardarit 16/6.

Shkupi është skuadra me dobët me vetëm 1 pikë të grumbulluar në 16 ndeshje. (Safet Ademi, TVM2)