Botë

Konflikti Rusi – Ukrainë, Zelenski me plan të rishikuar për paqe, Putini paqen e kushtëzon me territore

09.12.2025 14:37

Ukraina po përgatitet t’i paraqesë Shtëpisë së Bardhë një plan të rishikuar për paqe...

Ukraina po përgatitet t’i paraqesë Shtëpisë së Bardhë një plan të rishikuar për paqe, duke shmangur lëshimet territoriale ndaj Rusisë. Pas konsultimeve me partnerët evropianë në Londër dhe Bruksel, presidenti ukrainas Zelenski ka thënë se “nuk do ta shpërblejë presidentin rus Putin për luftën”. Zelenski thotë se është i gatshëm për bisedime, por vetëm brenda kornizave që respektojnë të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtën për vetëmbrojtje të Ukrainës.
 
“A mendojmë të heqim dorë nga çfarëdo territori? Nuk kemi të drejtë ligjore ta bëjmë këtë. Sipas ligjit ukrainas, Kushtetutës sonë dhe të drejtës ndërkombëtare, nuk kemi as të drejtë morale ta bëjmë këtë. Rusia insiston që të heqim dorë nga territori, por ne nuk duam të heqim dorë nga asgjë. Për këtë luftojmë, siç e dini mirë.”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
 
Edhe aleatët evropianë të Ukrainës janë unik për respektimin e integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës. Evropa do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet për paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, kanë thënë liderët e BE-së dhe NATO-s pas takimit në Bruksel. 
 
“Derisa negociatat e paqes janë në zhvillim, BE-ja mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj për Ukrainën. Propozimet tona për financim janë në tavolinë. Qëllimi është një Ukrainë e fortë, si në fushën e betejës, ashtu edhe në tavolinën e bisedimeve. I konfirmuam presidentit Zelenski se BE-ja mbetet e vendosur në parimet e saj. Sovraniteti i Ukrainës duhet të respektohet.”, thuhet në postimin e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen, dhe presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Kosta. 
 
Ndërkohë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së u zhvillua debat i ashpër për situatën në Ukrainë. Ministrja e Jashtme e Finlandës dhe kryesuese e OSBE-së, bëri thirrje për mbështetje të një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme.
 
“I ftoj të gjithë që ta mbështesin Ukrainën në arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme sa më shpejt të jetë e mundur. Jam e bindur se mënyra se si do të përfundojë kjo luftë do të ndikojë fuqishëm në të ardhmen e paqes dhe stabilitetit jo vetëm në Evropë, por në mbarë botën.”, - theksoi ministrja e Jashtme e Finlandës, Elina Valtonen.
 
Përfaqësuesi rus kritikoi Ukrainën, por edhe vendet evropiane, duke i akuzuar se po e pengojnë një zgjidhje paqësore.
 
“Gjithçka rreth zgjidhjes ukrainase tani është plotësisht e qartë. Perandori i korruptuar ukrainas po përpiqet me çdo kusht të ruajë pushtetin e vet, ndërsa bashkëpunëtorët e tij evropianë, të cilët përpiqen me çdo mjet të shmangin kolapsin e pashmangshëm të projektit të tyre “anti-rus”.”, - u shpreh zëvendëspërfaqësuesi i përhershëm i Rusisë në OKB, Dmitrij Poljanski. 
 
Presidenti rus Vladimir Putin duke kushtëzuar paqen me territore, kërkon të gjithë Donbasin, përfshirë edhe rreth 20% të rajonit të Donetskut, që nuk është pushtuar nga trupat ruse, zona ku ndodhen qytetet Kramatorsk dhe Sloviansk, me mbi 100 mijë banorë, si dhe njohjen formale të këtyre territoreve si pjesë e Federatës Ruse. Dhe derisa nuk është arritur marrëveshje mes palëve, në terren luftimet vazhdojnë. Veriu i Ukrainës u godit nga një valë e re dronësh, derisa Kievi u kundërpërgjigj me sulme në jug dhe në perëndim të Rusisë, me ç’rast në katër aeroporte u ndalua puna përkohësisht.
 
GYLTENE SINANI