LSDM: Peticion i qytetarëve kundër pranimit të migrantëve

09.12.2025 15:03

LSDM njoftoi nisjen e një iniciative qytetare...

LSDM njoftoi nisjen e një iniciative qytetare kundër politikave të Qeverisë së VMRO-DPMNE-së lidhur me pranimin e mundshëm të migrantëve.

Kryetari i partisë, Venko Filipçe, paralajmëroi një peticion online dhe u bëri thirrje qytetarëve ta kundërshtojnë këtë, duke e cilësuar si veprim antishtetëror dhe të rrezikshëm për sigurinë e vendit.

Ai theksoi se Maqedonia nuk duhet të bëhet periferi e Evropës dhe paralajmëroi pasoja afatgjata për brezat e ardhshëm. Filipçe pyeti nëse çmimi i kredisë prej 6 miliardë eurosh është pikërisht pranimi i migrantëve në Maqedoni.

Ai paralajmëroi edhe për përvojat e Evropës, duke theksuar se statistikat evropiane tregojnë se politikat e dobëta të integrimit të migrantëve kanë sjellë probleme të mëdha në shtete dhe shoqëri të ndryshme.

Nëse kjo iniciativë injorohet, do të pasojnë hapa të tjerë, tha Filipçe.

“Kjo nuk është shaka, kjo është një çështje shumë serioze dhe në këtë mënyrë VMRO-DPMNE dëshiron të imponohet te ne. Kur nga media relevante britanike dalin informata të tilla për një kohë të gjatë në kontinuitet, është e qartë se atje ka pasur bisedime. Nuk mund të lejojmë dhe nuk do të lejojmë që të ndodhë kjo. Do të ketë mobilizim të fortë, aktivitet në çdo nivel, në çdo qytet, çdo komunë, në çdo fshat. Me asnjë çmim nuk do të lejojmë që këtu të vijnë migrantë, nuk do të lejojmë që në këtë mënyrë të rrezikohet siguria dhe ardhmëria e vendit.”, - deklaroi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.

VMRO-DPMNE: Në Maqedoni nuk do të pranohen migrantë

Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE mohon pretendimet e LSDM-së se në Maqedoni do të pranohen migrantë.

“Me përgjegjësi si VMRO-DPMNE deklarojmë se nuk do të ketë migrantë në Maqedoni e as që ka ndonjë pan për në të ardhmen. Publiku dhe qytetarët të jenë të qetë pasi që deri sa VMRO-DPMNE është në Qeveri, migrantë në Maqedoni nuk do të ketë.”, - theksoi Valentin Mansievski nga VMRO-DPMNE.

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski, më herët kishte demantuar se në marrëveshjen me Britaninë janë të parapara kampe refugjatësh në Maqedoni. Ai tha se dokumenti ka të bëjë me investimet, infrastrukturën dhe sigurinë. (Florije Kamberi, TVM2)