Maqedoni

RMV, Dita Ndërkombëtare e Luftës kundër Korrupsionit

09.12.2025 15:17

Maqedonia e Veriut ka akoma probleme shumë të mëdha në luftën kundër korrupsionit....

Maqedonia e Veriut ka akoma probleme shumë të mëdha në luftën kundër korrupsionit. Raporti i fundit i “Transparency International” liston vendin tonë larg, nën pozitën e 50-të, që paraqet garancinë minimale në luftën kundër korrupsionit. Angazhim deklarativ, hipokrizi e institucioneve, mungesë e besimit tek gjyqësori, mosfunksionimi i institucioneve, numri i  madh i skandaleve që godasin kohëve të fundit, janë dëshmi e pasojave shkatërruese të korrupsionit, deklaroi sot kryetari i “Transparency International” për Maqedoninë e Veriut. 
 
“Një nga problemet e shoqërisë sonë është se skandalet korruptive mbeten vetëm si skandale. Apeloj që institucionet e sistemit të ndërmarrin hapa që të njëjtat të zbardhen dhe përfundimisht të mund të dëshmohet me anë të aktvendimeve dhe fakte të vërtetohet një sjellje negative. Që të mund të dëshmojmë se cilat institucione apo persona janë më të korruptuar duhet të kemi vendime gjyqësore, epilog juridik të rasteve, në të kundërtën mundemi vetëm të spekulojmë, megjithatë është fakt se as Prokuroria e as Gjyqësori nuk e kryejnë detyrën e tyre si duhet.”, - deklaroi kryetari i “Transparency International” -  Maqedoni, Bllagoja Pandovski.  
 
Antikorrupsioni ka hapur lëndë për 3 tenderët, për skandalin e pretenduar që e publikoi opozita, i lidhur me drejtorin e ShPPP-së, Tomovski. Revizori kryesor shtetëror paralajmëroi se javën e ardhshme do të publikohet raport final i revizionit mbi raste të tjera të keqpërdorimeve. 
 
“Deri te KShPK, nga ana e partisë LSDM, është dorëzuar denoncim për njërin rast dhe lënda është hapur. Lidhur me rastin në ShPPP do të diskutohet në kolegjiumin e radhës dhe do të vlerësohet nëse ka bazë për t’u hapur lëndë. Është e patjetërsueshme t’i shohim të gjitha rrethanat e rastit, në rastin konkret përmenden një numër i madh i tenderëve, duhet të vërtetohet situata faktike se në pronësi të kujt është ndërmarrja, historikun e së njëjtës dhe në cilat institucione ka fituar tender.”, - theksoi kryetari i KShPK-së, Adem Çuçul.
 
“Besoj se do të arrijmë deri më datën 16 dhjetor të publikojmë një raport final të revizionit, i cili do të jetë shumë i rëndësishëm  për të dëshmuar se si nuk duhet të veprohet dhe se si janë keqpërdorur shuma të mëdha mjetesh, ku kemi numër të madh të të punësuarve që kanë marrë pagë, por nuk kanë shkuar fare në punë, ku ka udhëtime zyrtare fiktive të personave, të cilët as nuk kanë dalë nga shteti. Kemi aktivitete të cilat pasojnë dhe janë mjaft sensitive.”, - u shpreh revizori kryesor shtetëror, Maksim Acevski. 
 
Sipas zëvendëskryeministrit për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, në Ditën Ndërkombëtare kundër Korrupsionit, më 9 dhjetor, festojmë jo vetëm një ditë simbolike, por një thirrje globale për veprim të vendosur kundër korrupsionit që pengon zhvillimin dhe sundimin e ligjit në rajonin tonë. 
 
“Si Qeveri e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ne e trajtojmë luftën kundër korrupsionit si politikë të qëndrueshme shtetërore, e bazuar në rezultate të matshme dhe jo në premtime boshe. Qytetarët tanë meritojnë institucione transparente, rikthim të pasurisë së vjedhur dhe sisteme digjitale që e bëjnë korrupsionin të pamundur.”, thekson Fetai. 
 
Për të shënuar këtë ditë dhe për të avancuar bashkëpunimin rajonal, më 10 dhjetor do të zhvillohet Forumi Rajonal me temë “Nga politika në ndikim: Avancimi i integritetit dhe reformave institucionale në Ballkanin Perëndimor”. 
 
ARLINDA BAFTIU