BDI: Të tërhiqet nga përdorimi libri i klasës së 7-të, MASh: Libri është pronë e botuesit
BDI ka shprehur shqetësimin e saj...

BDI ka shprehur shqetësimin e saj, për siç thuhet, qasjen tendencioze dhe pasaktësitë e rënda në librin e Gjeografisë për klasën e 7-të, botuar nga shtëpia botuese “Trimaks”-Shkup dhe miratuar nga Komisioni Kombëtar për tekste shkollore më 5 gusht 2025.
“Paraqitja e Kosovës si “gjendet në jugperëndim të Serbisë” i jep Serbisë rolin e pikë-referencës dhe anashkalon njohjen e Kosovës si shtet i pavarur nga Maqedonia e Veriut. Përdorimi i termit “Metohi” për Rrafshin e Dukagjinit përbën një devijim të rëndë identitar dhe shkencor, duke u bërë mjet i narrativëve historike serbe. Po ashtu, formulimi “Mitrovica e Kosovës” reflekton terminologjinë tendencioze serbe si “Kosovska Mitrovica” dhe nuk mund të jetë pjesë e një teksti shkollor të miratuar institucionalisht.”, thuhet në komunikatën e BDI-së.
Sipas BDI-së, përgjegjësia bie drejtpërdrejt mbi strukturat qeverisëse, të cilat përfaqësohen në Ministrinë e Arsimit dhe Komisionin për tekste shkollore, sepse miratimi i këtij libri në vitin 2025 tregon vasalitetin, servilitetin dhe tolerimin ndaj shtrembërimeve historike dhe identitare, duke rrezikuar edukimin e nxënësve dhe mbrojtjen e identitetit kombëtar.
Prandaj, BDI kërkon urgjentisht të tërhiqet libri nga përdorimi, të rishikohet dhe të korrigjohet përmbajtja sipas standardeve shkencore dhe të politikës shtetërore, të përcaktohet përgjegjësia institucionale dhe politike për këtë libër të botuar në vitin 2025 dhe të garantohet neutraliteti akademik në të gjitha tekstet e ardhshme shkollore.
“Mbrojtja e identitetit historik dhe kombëtar, si dhe e vërteta historike për Kosovën, është detyrë e çdo qeverie dhe çdo vonesë në këtë proces është përgjegjësi, në këtë rast e Qeverisë. Bashkimi Demokratik për Integrim do ta ndjekë këtë çështje deri në korrigjimin e plotë dhe sqarimin institucional, në mënyrë që gjeneratat e reja të mos ekspozohen ndaj interpretimeve të gabuara për historinë dhe realitetin politik të Kosovës.”, thuhet në komunikatën e BDI-së.
Nga Ministria e Arsimit kanë deklaruar se libri është pronë e botuesit dhe përmbajtja e tij nuk është drejtpërdrejt përgjegjësi e institucioneve shtetërore.
“Përdorimi i këtyre termave nuk është gabim, por përkthim i vjetër ose zgjedhje stilistike. Libri është pronë e botuesit, ndërsa Shërbimi Pedagogjik dhe recensentët kontrollojnë vetëm materialin e dorëzuar. Vendimin përfundimtar e merr Komisioni Kombëtar për Libra Mësimorë.”, theksojnë nga MASh-i.
Sipas kësaj ministrie bazuar në ligjin për libra shkollorë, Shërbimi Pedagogjik shpall konkursin për libra mësimorë, por përmbajtja, përkthimi, zgjedhja e termave dhe toponimeve, redaktimi dhe dizajni janë përgjegjësi ekskluzive e botuesit. (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)
