Maqedoni

Anketa e UT-së, rreth 60% e popullatës, të pakënaqur nga shteti

10.12.2025 14:14

Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, në bazë të një studimi, 59.2% nuk shërbehen në nivelin e duhur nga ana e institucioneve...

Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, në bazë të një studimi nga profesori universitar Bashkim Selmani, 59.2% nuk shërbehen në nivelin e duhur nga ana e institucioneve të shtetit dhe në të njëjtën kohë populli shqiptar ka humbur besimin tek institucionet. Sipas këtij studimi, shqiptarët shpeshherë detyrohen të paguajnë edhe pagesën e tatimeve dhe obligimeve të tyre ndaj shtetit, me anë të përmbaruesve, të cilët, dyfish shkelin të drejtën e kësaj popullate, thuhet në këtë studim. 
 
“Në bazë të anketimit, është konstatuar se shqiptarët me 59.2 për qind nuk u besojnë dhe nuk shërbehen me cilësi nga ana e institucioneve, pra pjesa e parë sa iu përket të drejtave dhe detyrimeve që iu përkasin qytetarëve. Nga ana tjetër kemi një shtet tjetër që kur flitet për marrjen e taksave, ato realizohen me afat jashtëzakonisht të shkurtër dhe me taksa dyfish më të larta, ku është edhe çështja e përmbarimit, pra kur qytetari ka një borxh prej 1.000 denarëve, atij i merret dyfishi i borxhit bazë, që është rreptësisht e ndaluar me Ligj. Pjesa tjetër janë noterët, që nuk kanë çmime transparente, sepse qytetarët duhet të dinë për veprimet e tyre dhe taksat ndaj shërbimeve noterike.”, - deklaroi profesori universitar, Bashkim Selmani.
 
Edhe përkundër këtyre shkeljeve, Avokati i Popullit që ka për obligim të mbrojë të drejtat e qytetarëve, pothuajse nuk funksionon aspak, tha profesor universitar, Bashkim Selmani.
 
“Kombi shqiptar nuk ka një institucion të vetin që do mbronte të drejtat kombëtare. Përfaqësuesit që japin betimin para shtetit dhe mbrojnë të drejtat shtetërore njëzet e ca vite dhe jemi të humbur, pra në labirintin e së drejtës. Të gjitha lëndët që kanë qenë te Avokati i Popullit që ka për detyrë të përcjellë këto shqetësime që reflektojmë nuk ka qenë i kujdesshëm aspak, por edhe ato pak lëndë që janë iniciuar kanë qenë të dështuara.”, - theksoi profesori universitar, Bashkim Selmani. 
 
Këto komente, Bashkim Selmani i bëri nga studimi i fundit që e realizoi bashkë me studentët e fakultetit juridik, përmes anketimit të një pjese të popullatës.
 
VISAR SADIKI