Maqedoni
Korrupsioni, temë e forumit rajonal në Shkup, Fetai: Drejtësia jokredibile, fajtor i parë
10.12.2025 14:26
Vetëm një sistem i ri i drejtësisë së reformuar, puna efektive e Antikorrupsionit në bashkëpunim me ekzekutivin...

Vetëm një sistem i ri i drejtësisë së reformuar, puna efektive e Antikorrupsionit në bashkëpunim me ekzekutivin, është metoda reale e kombinuar për ta luftuar korrupsionin, tha zëvendëskryeministri Arben Fetai, në forumin rajonal mbi avancimin e reformave në Ballkanin Perëndimor. Sipas të dytit të Qeverisë, në këtë betejë në mënyrë shtesë do të ndihmojë strategjia e re kundër korrupsionit, që do të miratohet javëve në vijim. Fajin kryesor ai ia hedh drejtësisë që për momentin nuk gëzon besueshmëri.
“Sistemi i drejtësisë jofunksionale, sistemi i drejtësisë jokredibile, sistemi i drejtësisë që nuk ka prodhuar edhe një vendim përfundimtar në rastin e korrupsionit të nivelit të lartë të viteve të fundit… Bashkimi Evropian nga viti në vit kërkon dënime përfundimtare në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë, kërkon ngrirje dhe konfiskim të aseteve të fituara në mënyrë të paligjshme dhe qasja e kësaj qeverie është që të përshpejtojmë reformat nga ana e ekzekutivit, duke punuar me Kuvendin, në mënyrë që t’ia kthejmë kredibilitetin Prokurorisë, që të kemi sistem të drejtësisë, i cili e bën pjesën e vet represive. Natyrisht që varemi edhe nga institucionet tjera, veçanërisht nga Antikorrupsioni, ku po ashtu pati zhvillime jo të hijshme.”, - deklaroi zëvendëskryeministri, Arben Fetai.
Hudolin: Duhet bashkëpunim vendor e rajonal
Asnjë shtet, asnjë entitet nuk është imun ndaj korrupsionit, vlerësoi përfaqësuesi nga Unionin Evropian, Hudolin. Konsideron se nevojitet një gamë e madhe e aktorëve për ta luftuar këtë dukuri, duke përkujtuar se sundimi i ligjit është kusht i parë për t’u bërë pjesë e familjes së madhe evropiane.
“Duke e sjellë këtë çështje në kontekst rajonal na përkujton se korrupsioni është sfidë e shpërndarë dhe zgjidhja më e mirë vjen nga bashkëpunimi, inspirimi dhe nga shkëmbimi i praktikave të mira… Si luftohet korrupsioni në mënyrë efektive? Fillimisht, nëpërmjet institucioneve të fuqishme dhe të përgjegjshme, liderët politikë patjetër të caktojnë instrumentin, pushteti dhe opozita duhet njësoj të promovojnë kulturën e integritetit, Parlamenti të miratojë ligj me standarde të larta.”, - theksoi kryetari për bashkëpunim në Delegacionin e BE-së, Stefen Hudolin.
Luftimi i korrupsionit bën që të rritet besimi i qytetarëve në punën e institucioneve, dhe, paralelisht me këtë, vendi do të hapërojë drejt integrimit në Bashkimin Evropian, u tha në forumin “Nga politika në impakt”.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
