Filipçe: Pas peticionit, rezolutë për migrantët
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe...

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, i kërkoi VMRO-DPMNE-së të nënshkruajë rezolutën për të parandaluar pranimin e migrantëve, që do të ishte konfirmim i mjaftueshëm, në vend të fjalëve boshe që po i bëjnë publikut.
“U bëj thirrje deputetëve të VMRO-DPMNE-së që ta pranojnë dhe ta nënshkruajnë rezolutën, në këtë mënyrë do të shmangim ‘menduam, thamë, kush gënjen, kush nuk gënjen’. Dhe kjo do të jetë e mjaftueshme, të mos besojmë fjalë boshe, por të kemi nënshkrime. Nëse VMRO-DPMNE nuk del dhe nuk e pranon këtë rezolutë, do të detyrohemi të vazhdojmë të luftojmë me të gjitha mjetet demokratike dhe njëra prej tyre është t’u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve në një protestë të madhe kombëtare dhe së bashku, të bashkuar, të bllokojmë procesin e sjelljes së migrantëve në Maqedoni.”, - deklaroi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
Davkova kundër pranimit të migrantëve
Edhe presidentja e vendit është kundër ardhjes së migrantëve nga Britania e Madhe.
“Do të shpreh qëndrimin tim. Nëse këta janë njerëz që përbëjnë rrezik për Britaninë, ata janë po aq të rrezikshëm edhe për ne dhe unë jam kundër pranimit të tyre, Megjithatë, tani ajo që po thoni është një rezolutë, por pyetja është për çfarë rezolute është, nëse nuk kemi prova? Sepse ajo që del në media, me gjithë respektin dhe nderin e duhur për këtë profesion, nuk është domosdoshmërish e vërtetë.", - theksoi presidentja, Gordana Siljanovska Davkova.
Mickoski: Tërhiqem nga politika, nëse del e vërtetë
Kryeministri Mickoski the se do të tërhiqem nga politika nëse Venko Filipçe gjen ndonjë migrant në Maqedoni, përndryshe të kërkojë falje publike.
“Deri në pranverë ka ende kohë që Venko Filipçe, së bashku me profesor Fërçkovskin dhe Andrej Zhernoskin, të kërkojnë në të gjithë Maqedoninë dhe të gjejnë ndonjë migrant, që është pjesë e kësaj marrëveshjeje me Britaninë e Madhe ose e çdo marrëveshjeje që kemi arritur, dhe nëse gjejnë një të tillë, unë po largohem përgjithmonë nga politika. Përndryshe ata që përhapin panik të panevojshëm duhet të kërkojnë falje nga unë dhe qytetarët.”, - u shpreh kryeministri, Hristijan Mickoski.
Sipas Qeverisë, marrëveshja e partneritetit strategjik me Britaninë nuk parashikon ndërtimin e kampeve të refugjatëve, por bashkëpunim në investime, infrastrukturë, siguri dhe ekonomi. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)
