Maqedoni
Shkarkimi i kryeprokurorit Kocevski, Qeveria i propozon Kuvendit nisjen e procedurës
10.12.2025 14:54
Qeveria i ka propozuar Kuvendit që të nisë shkarkimin e kryeprokurorit të vendit, Ljupço Kocevski....

Qeveria i ka propozuar Kuvendit që të nisë shkarkimin e kryeprokurorit të vendit, Ljupço Kocevski. Vendimi qeveritar bazohet në shkeljet e ligjit për Prokurorinë Publike, të cilat janë faktuar edhe nga këshilli prokurorial. Midis tjerash, Koceski ka mundësuar daljen në opinion të informacioneve për lëndë të caktuara.
“Kryeprokurori ka shkelur integritetin e institucionit, besueshmërinë e institucionit duke rrjedhur informata nga lëndë gjyqësore, duke diskredituar institucionet me mosveprimin e tij dhe tani pas përfundimit të procesit zgjedhor, sepse kjo ishte një procedurë e nisur paraprakisht, kemi rifilluar procedurën në Qeveri dhe tani topi është në duart e Parlamentit, i cili duhet të marrë vendimin e duhur sipas afateve që i përcakton Kuvendi si institucion.”, - deklaroi zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai.
Edhe kryeministri Hristijan Mickoski është në të njëjtën vijë për mënyrën e përzgjedhjes së pasuesit të Kocevskit, duke konfirmuar se procesi do të jetë i shpejtë.
“Nuk e di, as që e kemi menduar. Përzgjedhja do të jetë nëpërmjet thirrjes publike. Gjithsecili që do të përmbushë kushtet në përputhje me ligjin dhe shpalljen publike, do të mund të paraqitet. Ashtu që, deputetët janë ata që vendosin se cila është zgjidhja më e mirë. Ata e bëjnë zgjedhjen në fund të ditës.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Filipçe: Ndërhyrje politike, duke zhytur drejtësinë
Për LSDM-në zhvillimet e tilla janë përpjekje për vendosjen e njerëzve partiak në gjyqësor. Kryesocialdemokrati Venko Filipçe thotë se nevojitet ligj i ri për Prokurorinë Publike dhe ligj i ri penal.
“Nuk dua që kjo të kuptohet se unë jam avokat i dikujt, e aq më pak i prokurorit publik, të cilin nuk e njoh personalisht. Konsideroj se e gjithë kjo që do të thotë presion partiak, të vendosen njerëz partiak, nënkupton zhytje më e thellë e sistemit të drejtësisë. Qytetarët nuk e duan këtë.”, - u shpreh kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
Kuvendi ende nuk ka dalë me njoftim zyrtar për marrjen e kërkesës qeveritare për ndërrimin e Kocevskit. Ndërkohë, ditë më parë vetë Kocevski është shprehur se largimi i tij nga kryeprokuroria është vendim politik, pasi nuk ka bërë shkelje të rënda disiplinore.
MERAL ISMAILI
