Maqedoni

Gjykimi për tragjedinë në Koçan, dëgjohen inspektori i ndërtimit dhe ish-drejtori

10.12.2025 15:06

Gjykimi për fatkeqësinë në diskotekën "Puls" në Koçan ka vazhduar me dëgjimin e inspektorit të ndërtimtarisë, Ognjen Georgiev...

Gjykimi për fatkeqësinë në diskotekën "Puls" në Koçan ka vazhduar me dëgjimin e inspektorit të ndërtimtarisë, Ognjen Georgiev. Ai kërkoi nga Prokuroria që t'i tregojnë se cilin ligj nuk e ka zbatuar në këtë rast, pasi që sipas tij, për sa vite që punon si inspektor, asnjëherë nuk ka pasur urdhër për kontroll në këtë diskotekë. Në këtë rast bëhet fjalë për ndryshim të veprimtarisë për të cilën Inspektorati i Ndërtimit nuk ka asnjë kompetencë. Sipas tij, Inspektorati i Ndërtimit mund të pengojë ndërtimin e ndonjë objekti që është në ndërtim e sipër dhe se ky asnjëherë nuk e ka vizituar atë objekt kur është ndërtuar. Kontrolli i këtij objekti është në kompetenca të institucioneve të tjera, tha Georgievi.
 
“Kështu, siç më akuzoni, nuk mund të mos them se nuk jam fajtor dhe nuk i shoh lëshimet e mia. Më tregoni ligjërisht se çka nuk kam vepruar dhe në fund do të them se edhe unë kërkoj drejtësi.”, - deklaroi inspektori i ndërtimtarisë, Ognjen Georgiev.
 
Fjalimin e tyre në seancë e mbajtën edhe avokatët dhe ish-drejtorët e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim. Ata mohojnë të kenë përgjegjësi për tragjedinë e shkaktuar. Sipas tyre, ky objekt nuk ka qenë i regjistruar në institucion, nuk ka pasur asnjë dokumentacion që të ndodhet në planin vjetor të inspektorëve. Theksojnë se objekti është ndërtuar në vitin 2001, ndërsa Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim është themeluar në vitin 2005.
 
“Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim nuk është shërbim detektiv të gjejë dhe zbulojë objekte ilegale, ndërtime pa leje dhe të paregjistruara në pajtueshmëri me ligjin, të cilat në fshatrat dhe qytetet tona i ka në numër sa më të madh, ndërsa kompetenca është e organeve të tjera dhe institucioneve.”, - tha i akuzuari, Shaban Saliu.
 
“Drejtori nuk mund të urdhërojë inspektim të jashtëzakonshëm pa pasur informacion, ndërsa informacion të tillë për diskotekën "Puls" nuk ka. Drejtori nuk ka kompetencë ligjore të dijë për objekte ilegale.”, - theksoi avokatja, Suzana Joshevska.
 
Ish-drejtorët e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim gjatë gjykimit fajin e adresuan në Inspektoratin Shtetëror të Tregut, të cilët, sipas tyre, kanë për detyrë kontrollin e punës të subjekteve juridike. 
 
FLORIJE KAMBERI