Botë
Siri, Al-Nusra merr nën kontroll qytetin Ariha
29.05.2015 12:46
Një koalicion islamik, pjesë e të cilit është edhe al-Nusra, dega e Al-Kaedës në Siri, ka marrë nën kontroll një nga fortesat e fundit qeveritare...

Një koalicion islamik, pjesë e të cilit është edhe al-Nusra, dega e Al-Kaedës në Siri, ka marrë nën kontroll një nga fortesat e fundit qeveritare në provincën perëndimore të Idlibit.
Qyteti Ariha ra në duart e rebelëve pas një ofensive të papritur.
Rënia e Arihas bën që shumica e territorit të Idlibit, i cili ndodhet në kufi me Turqinë, të jenë nën kontrollin e rebelëve.
Që nga fundi i marsit, rebelët kanë marrë nën kontroll disa qytete në këtë krahinë, në kufi me Turqinë. Al-Nusra dhe grupet rebele aleate kanë thënë se tashmë është radha e Latakias, fortesa e qeverisë së presidentit, Bashar al-Asad.
Kreu i frontit al-Nusra tha se grupi ishte urdhëruar nga lideri i përgjithshëm i Al-Kaedas, Ajman al-Zavahiri, që të mos e përdornin Sirinë për të nisur sulme ndaj Perëndimit.
Në një intervistë për “Al Jazeera”, ditën e mërkurë, Abu Mohammed al-Julani tha se fronti al-Nusra është përqendruar në marrjen e Damaskut dhe rrëzimin e Bashar al-Asad-it.
Julani i mohoi pretendimet e Shteteve të Bashkuara se fronti ka një celulë sekrete të quajtur grupi “Khorasan”, të cilës i është ngarkuar detyra e organizimit të sulmeve jashtë Sirisë.
Nuk ekziston fare një grup i tillë, u shpreh ai, e kanë shpikur amerikanët për të mashtruar publikun.
