Ekonomi

Kuvend, miratohet Buxheti për vitin 2026

10.12.2025 15:39

Pas dy ditësh debat, Kuvendi sot miratoi Buxhetin për vitin 2026....

Pas dy ditësh debat, Kuvendi sot miratoi Buxhetin për vitin 2026. 71 deputetë e mbështetën, 14 ishin kundër dhe nuk pati të përmbajtur. Deputetët nga shumica qeverisëse dhe opozita i kryqëzuan qëndrimet e tyre. Deputeti i LSDM-së, Jovan Mitrevski, tha se ky buxhet nuk është zhvillimor, nuk ka asnjë pikë lidhjeje me realitetin dhe se nuk do ta votojnë.
 
“Deri në 100 milionë denarë i shkurtuat për dy ditë, derisa udhëtonte buxheti nga Kuvendi deri tek Qeveria dhe mbrapa. Ja, ju pyes se si iu kujtua që t’i shkurtoni edhe 4 milionë euro subvencione për bujqit për 2 ditë dhe të thoni kolegë, të nderuar deputetë, ne shkurtuam tek subvencionet 4 milionë euro për dy ditë, 4 milionë euro ka më pak subvencione për bujqit nga ky buxhet propozues.”, - deklaroi Jovan Mitrevski nga LSDM.
 
Ndërkohë, zëvendësministri i Financave, Nikollçe Jankullovski, duke iu përgjigjur vërejtjeve të opozitës lidhur me buxhetin e plotësuar, tha se buxheti është planifikuar seriozisht mbi bazë të projeksioneve të Ministrisë së Financave, Bankës Popullore dhe partnerëve ndërkombëtarë, si dhe sipas treguesve realë ekonomikë dhe prioriteteve të Qeverisë. Sipas Jankullovskit në propozim-buxhetin e plotësuar parashikohen edhe mjete për regjistrimin e bujqësisë në vitin 2026.
 
“Për regjistrimin e vitit 2026 është planifikuar një regjistrim në bujqësi, i cili do të realizohet nga Qeveria, për të marrë shifra relevante mbi të cilat do të bazohen politikat e ardhshme qeveritare. Shkurtohet në disa pika të shpenzimeve të buxhetit, kryesisht në sektorët ku ishte bërë më shumë keqpërdorim nga Qeveria e mëparshme. Edhe tek doganat dhe tek tatimet shihet se të ardhurat nuk janë rritur në masë të vogël si vitin e kaluar, siç ndodhte më parë, por me një përqindje shumë më të madhe. Ajo që më parë është injoruar dhe nuk janë mbledhur tatime për interesa personale, kontakte private, etj., tani nuk ndodh më.”, - theksoi zëvendësministri i Financave, Nikollçe Jankullovski.
 
Deputetja nga AKI, Rina Ajdari, tha se shumica parlamentare dhe Qeveria gjendjen e vështirësuar ekonomike të shtetit dhe të qytetarëve dëshirojnë ta paraqesin si zhvillim ekonomik dhe se kjo nuk përkon me realitetin.
 
“Inflacioni nuk është stabilizuar dhe standardi i jetës është përkeqësuar dukshëm. Çmimet e produkteve ushqimore bazë mbeten të larta, ndërsa pagat mbeten të njëjta. Sa i takon rritjes së pensioneve, edhe këtu kjo Qeveri ka dështuar, ashtu siç paralajmëruam ne vetëm përpara një viti. Kjo Qeveri e ka prishur ekuilibrin e tregut në thelb. Paga mesatare neto është rritur me 10 për qind në vitin 2025, por rritja reale e pagave e përshtatur me inflacionin është vetëm 5.8 për qind, gjë që nuk e mbulon realisht rritjen e kostos dhe shpenzimet e jetesës.”, - u shpreh deputetja e AKI-së, Rina Ajdari.
 
U kundërpërgjigj deputetja e VLEN-it, Emerlie Saliu.
 
“Jemi këtu me plot mburrje ta themi që kemi aprovuar 238 projekte konkrete për 20 komuna shqiptare dhe më lejoni të citoj disa, mbi 39 projekte në Komunën e Gostivarit, 29 në Tetovë, mbi 20 në Dibër, 13 në Çair, 10 në Zhelinë e kështu me radhë. Kur jemi te pjesa e aspektit social, e nderuara kolege, ju themi se me mburrje kemi rritur edhe dinjitetin e pensionistëve, sepse kemi bërë rritjen e pensioneve për 10 për qind.”, - deklaroi Emerlie Saliu nga VLEN.
 
Buxheti për vitin 2026 arrin rreth 6.7 miliardë euro, me një rritje të BPV-së të projektuar prej 3.8 për qind dhe inflacion prej 2.5 për qind. Të ardhurat totale pritet të jenë 374.9 miliardë denarë, shpenzimet 414.2 miliardë denarë, ndërsa deficiti buxhetor 39.2 miliardë denarë ose 3.5 për qind e BPV-së së planifikuar.
 
ARMEND MURSELI