Protesta e fermerëve grekë, bllokojnë pikën kufitare Evzoni
Protestat e bujqve nëpër Greqi....

Protestat e bujqve nëpër Greqi po hyjnë në një fazë të re. Revolta e bujqve, të pakënaqur me trajtimin nga Qeveria, ka eskaluar në protesta masive që e kanë zhytur vendin në kaos.
Fermerët kanë vendosur mijëra traktorë dhe kamionë në dhjetëra bllokada, pasi përballen me një mungesë prej më shumë se 600 milionë euro në ndihma të Bashkimit Evropian dhe pagesa të tjera.
Goditjen më të madhe po e pëson trafiku drejt Maqedonisë. Pikëkalimi kufitar Evzoni (Bogorodica), arteria kryesore mes dy vendeve, dje u bllokua sërish prej orës 17:00, si pasojë e grevës së pafund. Kjo ishte ndërprerja e dytë gjatë ditës së djeshme, pasi në mëngjes ishte mbyllur, më pas ishte normalizuar, për t’u mbyllur sërish pasdite.
Siç informon AMSM, bllokadat ndodhin në periudha të ndryshme të ditës, duke e kthyer udhëtimin mes Maqedonisë dhe Greqisë në një lotari të vërtetë. E vetmja pikë pozitive: qarkullimi në Pikën Kufitare Niki (Medjitlija) është normalizuar, ndërsa Pika Kufitare Dojran ende funksionon pa ndërprerje.
“Është çështje mbijetese.”, tha Jianis Koukoutsis, një fermer nga rajoni bujqësor qendror i Larisës. “Ne po kërkojmë veprime me mirëbesim nga Qeveria, duke përfshirë edhe ngrirjen e borxheve tatimore.”, shtoi ai.
Qeveria e Kiriakos Mitsotakis ka thënë se është e hapur për diskutime dhe u ka bërë thirrje fermerëve të ndërpresin bllokadat. AI ka pranuar se ka pasur vonesa në pagesa dhe ka deklaruar se fermerët do të marrin më shumë ndihma këtë muaj, para se të marrin përfundimisht gjithsej 3.7 miliardë euro gjatë këtij viti. (Fitore Demolli, TVM2)
