Maqedoni

Bastisje në Shkup dhe rrethinë, 12 persona janë privuar nga liria

10.12.2025 17:24

Sot në orët e hershme të mëngjesit, zyrtarë policorë nga Departamenti për Krim të Organizuar...

Sot në orët e hershme të mëngjesit, zyrtarë policorë nga Departamenti për Krim të Organizuar, nën drejtimin e një prokurori publik, kanë kryer bastisje në disa lokacione në rajonin e fshatrave Brezë, Hasanbeg dhe Haraçinë, si dhe në lagjet e Shkupit “Metodija Andonov – Çento” dhe Çair.
 
“Gjatë aksionit u privuan nga liria 12 persona: N.S. (70), F.S. (42), Q.S. (44), B.A. (40), S.D. (37), F.D. (35), N.A. (59), R.K. (27), N.L. (44), A.K. (35), Z.M. (61) dhe R.S. (27), për të cilët ekziston dyshim i bazuar se kanë kryer veprat penale ‘bashkim kriminal’ dhe ‘prodhim, mbajtje, ndërmjetësim dhe tregti të paautorizuar me armë ose materiale shpërthyese’. Një person shtesë dyshohet për veprën penale ‘prodhim dhe vënie në qarkullim të paautorizuar të narkotikëve.”, - thuhet në komunikatën e MPB-së.
 
Në Prokurorinë për Krim të Organizuar është paraqitur kallëzim penal kundër 12 personave.
 
“S.D. nga persona ende të panjohur nga Republika e Kosovës ka siguruar në mënyrë të paautorizuar armë zjarri dhe municion, me qëllim shitjen e mëtejshme, të cilat pastaj i ka transportuar ilegalisht në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Armët dhe municioni janë magazinuar në mënyrë të paautorizuar në lokacione të sigurta në fshatrat Hasanbeg dhe Brezë. Nga provat e mbledhura rezulton se anëtarët e grupit kanë pasur role të qarta të ndara. N.S., si një nga organizatorët, ka dhënë udhëzime për gjetjen e blerësve të mundshëm dhe për ndërmjetësim të paautorizuar në tregtinë e armëve dhe municionit. S.D. ka siguruar në mënyrë të paautorizuar municion dhe ka koordinuar aktivitetet për dorëzimin e armëve te anëtarët e grupit, ndërsa N.A. ka mbajtur kontakt me të dyshuarin e parë dhe ka koordinuar dorëzimin te blerësit e drejtpërdrejtë.”, - thanë nga MPB.
 
Për më tepër, siç informojnë nga MPB, personi me inicialet N.L., përveç ndërmjetësimit të paautorizuar në tregtinë e armëve, dyshohet se ka shitur në mënyrë të paautorizuar edhe drogë narkotike, kokainë.
 
ARMEND MURSELI