Presion për paqe në Ukrainë, ShBA- ja dhe aleatët kërkojnë zgjidhje të shpejtë
Përgjigjja e Ukrainës ndaj propozimit amerikan...

Përgjigjja e Ukrainës ndaj propozimit amerikan për paqe i është dorëzuar Uashingtonit. Ndërkohë që formësohen konturat e një marrëveshjeje të mundshme, Donald Trampi ka sinjalizuar se zgjidhja mund të arrihet së shpejti. Ai zbuloi se aleatët evropianë, gjatë një bisede telefonike, i kanë propozuar një takim fundjave me presidentin Zelenski.
“Diskutuam me liderët e Francës, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe për Ukrainën me tone mjaft të forta. Patëm disa mospajtime për disa çështje dhe do të shohim si do të zhvillohen gjërat. Ata duan një takim gjatë fundjavës në Evropë, por vendimi do të varet nga ajo me të cilën do të kthehen. Nuk duam të humbim kohë. Mendoj se Zelenski duhet të jetë realist dhe pyes veten, sa kohë do të duhet derisa të mbahen zgjedhjet.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
Pas bisedimeve me Uashingtonin, Starmer, Makron dhe Merz theksuan se kjo është një fazë kritike për Ukrainën, popullin e saj dhe sigurinë euroatlantike.
Zelenski u shpreh i gatshëm të organizojë zgjedhje edhe në kushte lufte, por vetëm nëse aleatët garantojnë sigurinë. Ai vuri në dukje varësinë gjithnjë e më të madhe të Rusisë nga Kina dhe kërkoi shtim të presionit ndaj Putinit për arritjen e paqes.
“Mora një raport nga shërbimi i inteligjencës së Ukrainës për gjendjen ekonomike të armikut dhe varësinë në rritje të Rusisë nga Kina. Është befasuese sa shumë është i gatshëm të paguajë Putini vetëm që të shmangë përfundimin e kësaj lufte.”, - theksoi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Nga Kremlini thonë se Kievi duhet të marrë vendim dhe të ulet në tryezën e negociatave, pasi hapësira për vendimmarrje të lirë ngushtohet.
“Kolegët tanë perëndimorë vetëm e komplikojnë kërkimin e një zgjidhjeje të negociuar dhe insistojnë në vazhdimin e luftës, përfshirë këtu edhe pengimin ndaj nismave të Shteteve të Bashkuara dhe presidentit Tramp. Askush në Evropë nuk i përmend shkaqet thelbësore. Ne këmbëngulim në arritjen e një pakete marrëveshjesh për një paqe të fortë, të qëndrueshme dhe afatgjate, me garanci sigurie për të gjitha palët e përfshira. Dhe negociatat tona me presidentin, Shtetet e Bashkuara dhe ekipin e tij janë pikërisht të përkushtuara në gjetjen e një zgjidhjeje afatgjate që do të trajtojë shkaqet themelore të kësaj krize.”, - u shpreh ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
Në front ka sulme të reja, ndërsa dronë goditën edhe Moskën. Në të njëjtën kohë, Dhoma e Përfaqësuesve e ShBA-së ka miratuar ligjin e mbrojtjes që parashikon 400 milionë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën deri në vitin 2027. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)
