Komuna e Sarajit, dalin në shesh 4 milionë euro borxhe të trashëguara

11.12.2025 14:47

Administrata e re komunale e Sarajit...

Administrata e re komunale e Sarajit nxjerr në shesh borxhet e trashëguara në vlerë prej 4 milionë euro. Paratë në të kaluarën janë shpenzuar në formë të pakontrolluar dhe me vendime të papërgjegjshme. Kontrolli i brendshëm ka zbuluar kontrata të shumta, marrëveshje dhe shpenzime të paarsyetuara. 

Kryetari i komunës, Muhamet Elmazi, thotë se komuna tani është e bllokuar dhe borxhi paraqet barë mbi çdo projekt që duhet të nisë në Komunën e Sarajit.
 
Borxhi i Komunës së Sarajit, flas si komunë, nga të dhënat e reja të azhuruara është 3 milionë euro. Borxhi i Ndërmarrjes Publike në kuadër të Komunës së Sarajit “Higjiena Komunale” është 425 mijë euro. Borxhin të cilën e ka çerdhja “Filizi” në kuadër të Komunës së Sarajit është 230 mijë e 700 euro. Borxhin të cilën e kanë shkollat fillore komunale është 198 mijë euro. Borxhin të cilin e ka Ndërmarrja Publike për menaxhim me Ndriçimin Publik është 127 mijë euro dhe borxhin të cilën e ka Ndërmarrja Publike “Dellta” për mirëmbajtjen dhe grumbullimin e qenve endacakë është 2.500 euro.”, - deklaroi kryetari i Komunës së Sarajit, Muhamet Elmazi.
 
Me gjithë optimizmin për daljen nga situata, Elmazi ka informuar organet kompetente për abuzimet. Komuna po analizon të gjitha ndërmarrjet nën ombrellën e saj dhe më pas do të merren veprime konkrete, përfshi edhe ndërmarrjen “Dellta”, e cila nuk gjeneron të ardhura.
 
Çdo shpenzim, kontratë apo edhe vendim, tashmë kalon në filtrin e përgjegjësisë dhe profesionalizmit. Duke e paraqitur këtë gjendje, ne vendosim sot nga pika zero, pikë nga e cila Saraji fillon të ngrihet mbi llogaridhënie, mbi rend dhe mbi përgjegjësi.”, - theksoi kryetari i Komunës së Sarajit, Muhamet Elmazi.
 
Komuna në të kaluarën ka punësuar persona me nga dy vende pune, si dhe kontrata inekzistente me sistematizimin e ri komunal. Personat e tillë tanimë janë dorëhequr. (Meral Ismaili, TVM2)