Maqedoni

VMRO-DPMNE dhe LSDM, akuza dhe kundërakuza për pranimin e migrantëve në RMV

11.12.2025 15:35

Kanë vazhduar akuzat dhe kundërakuzat mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së...

Kanë vazhduar akuzat dhe kundërakuzat mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së opozitare për çështjen e sjelljes së migrantëve në vendin tonë.
 
Sipas liderit të LSDM-së, heshtja e Qeverisë së VMRO-DPMNE-së ndaj Rezolutës së LSDM-së për të parandaluar pranimin e migrantëve konfirmon dyshimet se diçka po përgatitet fshehurazi para syve të publikut, tha mes tjerash kryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, Venko Filipçe, në konferencën e sotme për shtyp.  
 
"VMRO-DPMNE nuk dëshiron ta nënshkruajë Rezolutën. Nuk dëshiron t'u japë garanci qytetarëve të Maqedonisë, sepse nuk mundet, sepse janë zotuar të pranojnë migrantë si pjesë e një marrëveshjeje kredie në paketë, në mënyrë që të vazhdojnë të shpallin tenderë dhe të bëjnë marrëveshje private për të shpenzuar para publike për partnerët e tyre të biznesit. VMRO-DPMNE-ja dhe Mickoski janë dakorduar që të pranojnë migrantë në Maqedoni, prandaj edhe nuk duan të përgjigjen në pyetjet tona se a është dakorduar plani për pranimin e emigrantëve, a do t’u jepet leje qëndrimi, a do të marrin shtetësi të Maqedonisë, a do t’u ndërtohen banesa sociale.”, - deklaroi lideri i LSDM-së, Venko Filipçe.
 
Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi i VMRO-DPMNE-së. Sipas partisë më të madhe në vend, Filipçe nuk është udhëheqës, por një kukull e Zaevit, një politikan i thjeshtë, roli i të cilit është të mbulojë dhe mbrojë krimet e tij. 
 
“Është e qartë se nuk do të ketë migrantë. Venko Filipçe, si ministër në Qeverinë e Zaevit, punoi për hapjen e një kampi migrantësh në Bardovcë. Venko Filipce, aktivisht si ministër në Qeverinë e Zaevit, në vitin 2018 mori pjesë në miratimin e një Plan-projekti për ndërtimin e një qendre pritjeje për migrantët në Bardovcë. Këta migrantë që Filipçe donte t'i pranonte, atëherë janë të njëjtët migrantë që tani po shkaktojnë probleme në Evropë. Nëse nuk do të ishte presioni nga VMRO-DPMNE atëherë, sot do të kishte migrantë në Maqedoni. Venko Filipçe dhe LSD-ja kishin një politikë partiake dhe shtetërore për vendosjen e migrantëve. Dhe ky dokument që sapo kemi treguar është provë e kësaj.”, - theksoi Mile Lefkov nga VMRO-DPMNE.
 
Pranimi i migrantëve nga Britania është i papranueshëm edhe për presidenten e vendit, Gordana Siljanovska Davkova, kryeministrin Hristijan Mickoski, por edhe për ministrin e Punëve të Brendshme, Panço Toshkovski, sipas të cilëve, çështja e migrantëve është vetëm krizë e paramenduar nga kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, dhe nuk ka asgjë konkrete në këtë temë.  
 
FITIM KRYEZIU