Maqedoni
Sulmi ndaj redaksisë “Infomaks”, sulmuesi privohet nga liria, aktin e dënojnë partitë dhe shoqatat
11.12.2025 15:51
Personi i cili ka sulmuar gazetarin e portalit “Infomaks”...

Personi i cili ka sulmuar gazetarin e portalit “Infomaks” gjatë një emisioni të drejtpërdrejt, organet e rendit e kanë privuar nga liria, deklarojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
“Nëpunësit policorë kanë privuar nga liria personin me iniciale G.S. nga Shkupi, menjëherë pasi është pranuar denoncim mbrëmë në orën 23:45, nga ana e udhëheqësit të emisionit nga portali “Infomaks” me iniciale A.M., i cili në sektorin për punë të brendshme, Shkup, denoncoi se në redaksinë e portalit, me seli në rrugën “Vostaniçka” në Shkup, një person mashkull ka hyrë në redaksi, derisa programi po emetohej drejtpërdrejt.”, - deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Goce Andreevski.
Sulmi ndaj gazetarit ka gjetur dënim edhe nga shoqatat e gazetarëve.
“Kërkojmë sanksionim për kryerësin e veprës, me qëllim që të parandalohen sulmet në të ardhmen dhe zero tolerancë ndaj dhunës së gazetarëve. Ky incident paraqet shkelje serioze mbi nëpunësit e medias dhe sulm direkt mbi lirinë e shprehjes.”, reagojnë nga ShGM.
“Sulmi mbi gazetarët dhe punonjësit mediatikë, si dhe pengesa në punën e tyre mbi informimin për opinionin, bie në nenin 382 të Kodit Penal. Për veprat që përfshin ky nen, parashihet dënim prej tri vitesh burg.”, thuhet në komunikatën e Sindikatës së Pavarur të Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias.
Sulmi dënohet edhe nga partitë politike. VMRO-DPMNE kërkon nga institucionet që ta ndjekin rastin dhe të ketë epilog sipas procedurave të nevojshme dhe ligjore, duke theksuar prioritetin e tyre mbi gazetarinë e pavarur. Edhe Nga LSDM dënojnë sulmin ndaj gazetarit. Thonë se sulmuesi është anëtar i partisë maqedonase në pushtet.
“Incidentet e këtilla janë të papranueshme dhe paraqesin kërcënim të vlerave themelore demokratike, të cilat duhet të mbrohen dhe promovohen. Liria e mediave, e drejta për informim dhe gazetaria e pavarur, janë parime bazë, për të cilat si parti gjithmonë jemi angazhuar. Përshëndesim intervenimin e shpejtë dhe profesional të policisë dhe presim nga institucionet ta hetojë procedurën deri në fund.”.
“Sulmi fizik i gazetarëve të “Infomaksit”, në transmetim të drejtpërdrejtë, sipas informacioneve të cilat i kemi pranuar, sulmuesi është anëtar i partisë në pushtet, të VMRO-DPMNE-së. Keqpërdorimin e pushtetit dhe fuqisë e pamë në vepër.”, - u shpreh kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
Liria e qytetarëve dhe gazetarëve po shkelet, përfundojnë nga LSDM. Ndërkohë “Infomaks” pret reagimin e institucioneve kompetente.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
