Botë
Gjykimi për tragjedinë në Koçan, mbrojtja kundërshton aktakuzën për rastin “Puls”
11.12.2025 16:07
Në seancën e sotme gjyqësore për tragjedinë në objektin “Puls” në Koçan...

Në seancën e sotme gjyqësore për tragjedinë në objektin “Puls” në Koçan, mbrojtja e ish-zyrtarëve të Ministrisë së Ekonomisë kundërshtoi aktakuzën, duke e cilësuar si të pabazë dhe me “absurde kronologjike”.
Avokatët e të akuzuarve theksuan se nga viti 2013 deri në 2019 zyrtarët kanë pasur vetëm detyrë administrative të verifikojnë dokumentet e dërguara nga institucionet kompetente, por jo të kryejnë kontrolle teknike apo inspektuese në terren.
Ata vunë në dukje se nuk ka asnjë lidhje të drejtpërdrejtë mes veprimeve të tyre dhe zjarrit tragjik të 16 marsit 2025. Përshkrimi i punës së të akuzuarve nuk ka qenë të kontrollojnë kabllo, instalime, aparate kundër zjarrit, dalje sigurie, por të përpunojnë dokumentet që vinin në Ministrinë e Ekonomisë nga institucione të tjera kompetente.
“Me dhënien e secilës licencë ndërpritet validiteti i licencës paraprake. Nuk mundet që licenca e dhënë në vitin 2013, 2014, 2017 dhe 2018, ku është nënshkrimi i Shefket Hazirit të ketë vlefshmëri ligjore për punë.”, - deklaroi avokati, Petre Shilegov.
“Asnjë nga këta anëtarë nuk u jep të drejtë dhe obligim zyrtarëve shtetërorë që të kryejnë mbikëqyrje, nuk u jep të drejtë të kontrollojnë në vendngjarje dhe nuk i autorizon të konstatojnë rrezik.”, - theksoi avokatja, Sofia Laliçiq.
I akuzuari Zoran Nikollovski, ish-zyrtar në Ministrinë e Ekonomisë në sektorin e turizmit, tha se sipas ligjit, ai nuk ka qenë i autorizuar të kontrollojë nëse objektet e gastronomisë i plotësojnë kushtet, por vetëm të verifikojë dokumentet e sjella nga Inspektorati Shtetëror i Tregut.
“Edhe sot akoma japin licenca nga zyra. E vetmja gjë që ka ndryshuar është rritja e kontrollit. Në këtë kërkesë shkruhet se çka saktësisht kërkohet për të dhënë licencë. Asnjëherë në jetë nuk kam dalë, e as nuk e di ku ndodhet "Puls" apo ndonjë tjetër objekt. Nuk kisha përgjegjësi dhe kompetencë, që sipas ligjit të kontrolloj çfarë do lloj kushte.”, - u shpreh i akuzuari, Zoran Nikollovski.
Ndërkohë, me një sërë vërejtjesh ndaj punës së Prokurorisë, mbrojtja e inspektorëve të tregut, kritikoi ashpër aktakuzën dhe mënyrën se si në opinion po shpërndahen informacione të pasakta për përgjegjësinë institucionale dhe statusin juridik të objektit, ku humbën jetën disa persona.
FLORIJE KAMBERI
