Maqedoni

Zgjedhjet lokale të 11 janarit, Nevzat Bejta, kandidat i VLEN-it për Gostivarin

11.12.2025 16:23

Koalicioni VLEN nominon Nevzat Bejtën për kandidatin e tyre në Komunën e Gostivarit...

Koalicioni VLEN nominon Nevzat Bejtën për kandidatin e tyre në Komunën e Gostivarit në zgjedhjet e 11 janarit. Sipas njoftimit zyrtar të VLEN-it thuhet se vendimi vjen pas një procesi të brendshëm konsultimesh dhe anketash me qytetarët e Gostivarit, ku Bejta ka rezultuar bindshëm si zgjedhja më e besuar dhe më e preferuar.
 
“Qytetarët kanë vlerësuar përvojën e tij, projektet e realizuara dhe ndikimin pozitiv që ka pasur gjatë mandateve të mëhershme në krye të komunës. VLEN beson se Nevzat Bejta përfaqëson stabilitet, profesionalizëm dhe vizion për vazhdimin e zhvillimit të Gostivarit.”, thuhet në njoftimin e koalicionit VLEN.
 
Bejta bëhet kandidati i dytë zyrtar pas kandidatit opozitar shqiptar,  Valbon Limanit, i cili ditë më parë dorëzoi kandidaturën e tij deri në Komisionin Komunal Zgjedhor. Zgjedhjet e 11 janarit mbahen edhe në komunat Vrapçisht, Mavrovë – Rostushë dhe Qendër Zhupë. 
 
Në Vrapçisht pritet që gara të zhvillohet midis kandidatit të AKI-së, Isen Shabani, dhe kundërkandidatin e tij nga VLEN, Mehmet Seferi.
 
Në Mavrovë-Rostushë përballen kandidati i VMRO-DPDMNE-së dhe i LSDM-së, ndërkaq në Qendër Zhupë gara zhvillohet midis partive turke.
 
Në këto komuna më 19 tetor nuk u arrit censusi i nevojshëm prej të paktën 1/3 së votuesve të komunës përkatëse. Fushata zgjedhore do të nisë më 22 dhjetor dhe do të zgjasë deri më 9 janar.
 
MERAL ISMAILI