Maqedoni
Krizë pagash në gjyqësor, Sindikatat: Situata kërkon zgjidhje urgjente
11.12.2025 16:39
Gjyqtarët dhe administrata ende nuk e kanë marrë pagën e nëntorit...

Gjyqtarët dhe administrata ende nuk e kanë marrë pagën e nëntorit, për shkak se disa prej tyre paralajmërojnë ndërprerje të mundshme të punës. Katër gjykata tashmë kanë paralajmëruar ndërprerje të punës, ndërsa nga sindikata e punëtorëve të administratës, organeve gjyqësore dhe shoqatave të qytetarëve thonë se nuk do t’i pengojnë nëse vendosin të hyjnë në grevë.
Tërpe Dejanoski, kryetari i kësaj sindikate, thotë se as gjyqtarët, as administrata deri më 10 dhjetor nuk e kanë marrë pagën e nëntorit dhe nuk ka asnjë informacion as për pagesën e regresit për pushim vjetor, edhe pse dihet që deri më 15 dhjetor mbyllet llogaria buxhetore. Sipas tij, bëhet fjalë për 1.400 deri në 1.600 të punësuar.
“Situata aktuale në gjykata është shumë e ndërlikuar, ka mungesë të madhe të personelit, mungojnë referentë, daktilografë dhe bashkëpunëtorë profesionalë, ndërsa të punësuarit detyrohen të kryejnë detyra edhe për katër kolegë. Aktualisht kemi dy sisteme page që janë në fuqi, nga të cilët njëri është më i favorshëm, por për fat të keq nuk zbatohet. Në gjyqësor dhe në prokurori janë miratuar ligje të reja për shërbimin gjyqësor dhe prokurorial, në të cilat ka një sistem të ri pagash, ku të punësuarit do të shpërblehen në mënyrë të merituar për punën që bëjnë dhe do të zgjidhet një pjesë e madhe e problemeve në këto dy kategori në sistemin e drejtësisë. Nëse kjo rregullohet, mendoj se nuk do të ketë probleme. Nëse ka grevë, më së shumti do të vuajnë qytetarët dhe avokatët.”, - deklaroi përfaqësuesi i Sindikatës, Tërpe Dejanovski.
Dejanoski kërkoi miratimin e menjëhershëm të Ligjit për shërbimin gjyqësor dhe prokurorinë publike dhe kjo të bëhet deri në fund të këtij viti, në mënyrë që nga viti 2026 puna në sferën gjyqësore të vlerësohet siç duhet.
BELINDA KOKA ADEMI
