Botë
Zgjedhjet në Kosovë, kostoja për t’u zgjedhur deputet mbi 9 mijë euro
11.12.2025 17:14
“Kostoja e Politikës në Kosovë” rezulton të jetë e lartë...

Një studim nga “Demokraci Plus” dhe Fondacioni “Uestminster”, që ka analizuar shpenzimet e kandidatëve për deputetë gjatë zgjedhjeve nacionale të vitit 2025, rezulton se mesatarja e shpenzimeve për një kandidat është 9 mijë e 463 euro, ndërsa kandidatët fitues shpenzojnë mesatarisht rreth 12 mijë euro, ndërsa kandidatët që shpenzojnë rreth 4 mijë euro nuk arrijnë të sigurojnë ulëse në Kuvend.
“Sa shpenzojnë kandidatët i kemi ndarë në tri kategori: shpenzues të ulët, të cilët kanë shpenzuar nën 2 mijë euro dhe asnjëri prej tyre nuk është zgjedhur; pastaj shpenzues të moderuar, ku kanë shpenzuar prej 250 deri në 7.999, ku nga katër kandidatë tre kanë fituar, që do të thotë se këtu janë gjasat që nëse shpenzojnë këtë shumë të zgjidhen; si dhe shpenzues më të lartë mbi 8 mijë euro, ku prej 8 kandidatë 7 kanë arritur të marrin ulësen e deputetit. Por, të zgjedhurit mesatarisht kanë shpenzuar rreth 12 mijë e 150 kurse të pa zgjedhurit mesatarisht 4 mijë e 90 euro.”, - deklaroi Albert Krasniqi nga “Demokraci Plus”
Kandidatët për deputetë kanë thënë se shpenzojnë në takimet me qytetarët, për transport gjatë fushatës, por edhe për fushatë në media, përfshi edhe pagesë për analistët.
“Disa prej kandidatëve madje na kanë thënë se kanë paguar edhe analistë politikë, të cilët i shohim nëpër debate televizive në mbrëmje, që t’ua përmendin emrin e tyre gjatë debateve, në mënyrë që të duken si persona të rëndësishëm.”, - theksoi Albert Krasniqi nga “Demokraci Plus”.
Ish-kryetarja e KQZ-së në Kosovë, Valdete Dakaj, thotë se kandidatët që i futen garës për deputetë në Kosovë duhet të jenë financiarisht të qëndrueshëm, që ndikon në krijimin e një Parlamenti me individë të cilët nuk e meritojnë pozitën e deputetit.
“Viteve të fundit jemi ballafaquar me shifra të larta të paraqitura nga vet subjektet politike kur flasim për fushatën zgjedhore. Kandidatët të cilët janë në garë duhet të jenë financiarisht shumë të qëndrueshëm ose në rastin më të keq del se shpesh në Parlament të hyjnë ata individë të cilët, nëse nuk e kanë përkrahjen financiare nga subjektet e tyre, kanë përkrahje nga individ të fuqishëm, kompani të fuqishme me rrjete, të cilat pastaj prodhojnë një Parlament me individë të cilët nuk e kanë merituar pozitën e tyre.”, - u shpreh ish-kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka.
Ky raport u publikua në periudhën kur partitë politike në Kosovë kanë filluar fushatën për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit. Këto janë zgjedhjet e dyta parlamentare brenda vitit 2025 në Kosovë, pas atyre të 9 shkurtit, pas të cilave nuk u arrit formimi i qeverisë së re, meqë partia fituese Lëvizja Vetëvendosje nuk arriti të krijojë shumicë parlamentare prej 61 votash.
GYLTENE SINANI
