Botë

Bie Qeveria në Bullgari, pas protestave Rosen Zheljazkov dorëzon dorëheqjen

11.12.2025 17:33

Qeveria e Bullgarisë, e udhëhequr nga Zheljazkovi...

Qeveria e Bullgarisë, e udhëhequr nga Zheljazkovi, ka dorëzuar dorëheqjen për shkak të mosmarrëveshjeve mbi buxhetin dhe valën e protestave masive që kanë tronditur vendin për javë me radhë. Zheljazkovi dorëzoi dorëheqjen para se Parlamenti të votonte për mosbesim ndaj Qeverisë, votim i cili dështoi.
 
“Dëshira jonë është të jemi në nivelin që shoqëria pret. Në këtë moment, sipas Kushtetutës, pushteti rrjedh nga sovrani. Siç kemi theksuar, ne dëgjojmë zërin e qytetarëve. Protestat ishin kundër arrogancës. Nuk është një protestë sociale, por një protestë kundër politikave, sjelljeve dhe qëndrimeve.”, - deklaroi kryeministri i Bullgarisë, Rosen Zheljazkov.
 
Dorëheqjes i paraprinë protesta masive. Dhjetëra mijëra njerëz dolën në rrugët e Sofjes dhe qyteteve të tjera të vendit, duke akuzuar Qeverinë për korrupsion. Në protestat e nxitura nga planet buxhetore të javës së kaluar për rritjen e taksave, kontributeve për sigurimet shoqërore dhe shpenzimeve, u bashkuan edhe studentët.
 
“Çdo parti që vepron në mënyrë mafioze duhet të largohet dhe të mos kthehet kurrë, të dorëzojë dorëheqjen. Protestojmë sepse njerëzit janë të lodhur nga manipulimi dhe varfërimi. Shohim se si jeta e pafundme njerëzore shkatërrohet.”, - u shpreh mësuesja, Eli Martinova.
 
“Ne nuk protestojmë vetëm kundër buxhetit, kërkojmë dorëheqjen e Qeverisë, për shkak të papërgjegjshmërisë së saj dhe turpit që i ka sjellë Bullgarisë.”, - tha studenti, Georg Petrov.
 
“Shpresojmë që veprimet tona të çojnë drejt ndryshimeve të vërteta. Nuk do të ndalemi këtu. Nga ne varet nëse do ta çmontojmë modelin e korruptuar të ndërtuar nga Borisovi dhe Peevski.”, - theksoi udhëheqësi i Shoqatës  “Studentët kundër Mafies”, Aleksandër Tanev.
 
Gjatë protestës në Sofje u arrestuan mbi 30 persona. Tek disa prej tyre u gjetën droga, thika dhe mjete piroteknike.
 
FARIJE DAUTI BAKIU