Turistët nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi kryesojnë me 62,5 për qind të totalit të hyrjeve në Shqipëri
Shtetas të vendeve fqinjë si, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi kryesojnë hyrjen në Shqipëri, në krahasim më të huajt e tjerë dhe rezulton se këto tre shtete në harkun kohor 2010-2014 zënë mesatarisht 62,5 për qind të hyrjeve në pikat kufitare shqiptare, njofton ATSH-ja...

Hyrjet nga Kosova zënë mesatarisht 48,6 për qind të hyrjeve të vendeve në Europën Jugore, çka lidhet sa me faktin se zgjedhin të bëjnë pushimet në bregdetin shqiptar, por edhe sepse një numër i konsiderueshëm kosovarësh kanë blerë banesa në këto zona. Në vendin e dytë vjen Maqedonia me 13 për qind dhe Mali i Zi me 6 për qind.
Sipas INSTAT, hyrjet e shtetasve të huaj në pikat kufitare në periudhën kohore 2005-2014 janë rritur mesatarisht 19,9 pë qind në vit, ndërsa daljet e shqiptarëve janë rritur mesatarisht 6,9 për qind.
Gjatë harkut kohor 2010-2014 hyrjet e shtetasve të huaj nga vendet e Europës zënë pjesën më të madhe të hyrjeve gjithsej, e llogaritur mesatarisht në 92,3 për qind, por Europa Jugore zë përqindjen më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj me 84,3 për qind të hyrjeve gjithsej në Shqipëri.
