Zhvillimet në Kumanovë, Haliti: Përgjegjësia bie mbi të gjithë ne
Përgjegjësia për zhvillimet e fundit në Kumanovë bie mbi të gjithë ne. Kështu është shprehur nënkryetari i Kuvendit, Rafiz Haliti, në emisionin “Pa rrotlla”...

Sipas Halitit, djemtë që luftuan në Kumanovë ishin pjesë e konfliktit në vitin 2001, që u përmbyll me Marrëveshjen e Ohrit dhe gjithsesi atyre duhet t’u jepet llogari për të arriturat e kësaj marrëveshje.
“A është implementuar ajo marrëveshje? Nuk është implementuar, po e them me përgjegjësinë më të madhe, pasi që këto tema ne i kemi hapur edhe në kryesinë qendrore, kështu që a mbajmë përgjegjësi edhe për këtë që ngjau në Kumanovë, gjithsesi se mbajmë përgjegjësi, për shkak se ata djem që janë stacionuar, ai grupi i armatosur në Kumanovë ka qenë edhe në 2001-in, dhe ata djem kanë sakrifikuar veten, edhe shumë djem tjerë kanë sakrifikuar veten edhe në 2001-in dhe gjithsesi se meritojnë të jepet një llogari deri ku ka mbërri implementimi i Marrëveshjes së Ohrit”- deklaroi nënkryetari i Kuvendit, Rafiz Haliti.
Sipas Halitit, politikanët e vendit para përfaqësuesve të BE-së flasin për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, por nga ana tjetër mundohen t’i bëjnë obstrukcion realizimit në praktikë të kësaj marrëveshje. Nënkryetari i Kuvendit, Haliti, thotë se nuk mjafton që vetëm një subjekt politik të angazhohet për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.
“Parashtrohet një pyetje se a duan shqiptarët e RM-së të jetojnë bashkë me maqedonët? T’ju them me përgjegjësinë, po, por duan të jetojnë si të barabartë me maqedonët. Dhe parashtrohet pyetja se a duan maqedonët një Maqedoni me shqiptarët të barabartë në bashkëjetesë? Këtu mendoj se ka shumë pikëpyetje”- tha nënkryetari i Kuvendit, Rafiz Haliti.
Për këtë, sipas Halitit, flasin edhe të gjitha veprimet që janë bërë në të kaluarën dhe se dikush nuk e do Maqedoninë me qytetarë të barabartë. (Meral Ismaili, TVM2)
