Evakuime masive pas përmbytjeve në Uashington
Shirat e dendur kanë shkaktuar përmbytje...

Shirat e dendur kanë shkaktuar përmbytje të mëdha në shtetin amerikan të Uashingtonit, duke detyruar autoritetet të urdhërojnë evakuimin e dhjetëra mijëra banorëve.
Guvernatori Bob Ferguson u bëri thirrje banorëve në zonat e rrezikuara të largohen dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale. Vlerësohet se deri në 100.000 banorë preken nga urdhrat e evakuimit.
“E kuptoj që shumë prej njerëzve në shtetin tonë kanë përjetuar përmbytje të mëdha edhe më parë.”, tha Ferguson.
“Megjithatë, tani po përballemi me një situatë historike, pasi pritet që niveli i ujit të jetë deri në 61 centimetra më i lartë se rekordi i mëparshëm.”, shtoi ai.
“Mbi 30 autostrada kryesore janë mbyllur për qarkullimin e mjeteve.”, tha Ferguson. Ai shpalli gjithashtu një gjendje emergjence në gjithë shtetin, për të mundësuar mobilizimin e shpejtë të fondeve dhe personelit shtesë.
Roja Kombëtare është dislokuar për të ndihmuar operacionet e shpëtimit në zonat e përmbytura.
Helikopterë dhe varka po përdoren për të transportuar njerëzit drejt zonave të sigurta. Dhjetëra lumenj kanë dalë nga shtrati, duke përmbytur qytete dhe toka bujqësore.
