Përplasje ShBA - Venezuelë në Karaibe

12.12.2025 14:04

Tensionet në marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Karakasit...

Tensionet në marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Karakasit nuk qetësohen. Administrata e presidentit amerikan Donald Tramp ka vendosur sanksione të reja ndaj anijeve, kompanive dhe të afërmve të ngushtë të presidentit Maduro. Vendimi erdhi një ditë pasi ushtria amerikane konfiskoi një cisternë pranë brigjeve të Venezuelës.

“Administrata e Trampit zbaton politikat e sanksioneve të presidentit të ShBA-së. Ne nuk do të qëndrojmë duarkryq duke parë si anijet e sanksionuara lundrojnë nëpër dete me naftë të tregut të zi, të ardhurat e së cilës ushqejnë narkoterrorizmin e regjimeve të paligjshme dhe të rrezikshme në mbarë botën.”, - deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karolin Leavit.
 
Nga Shtëpia e Bardhë thonë se Trampi nuk do të shqetësohej aspak nëse presidenti rus Putin do t’i ofronte mbështetje homologut të tij venezuelian. 
 
Maduro e quajti ShBA-në “Pirate të Karaibeve” dhe përmendi se ka zhvilluar një bisedë telefonike me kreun e Kremlinit.
 
“Kryen një akt absolutisht kriminal dhe të paligjshëm. Një rrëmbim dhe grabitje, si pirate të Karaibeve, të një anijeje private civile tregtare, një anije paqësore. Ajo u sulmua. Gati kishte arritur Oqeanin Atlantik. Nuk ishte në ujërat pranë Venezuelës. Ishte shumë më në veri të Trinidad dhe Tobagos, drejt ishullit Grenada, pothuajse në Atlantik.”, - theksoi presidenti i Venezuelës, Nikollas Maduro.
 
Për zhvillimet e fundit në Karaibe reaguan edhe autoritetet në Kolumbi. Ministria e Jashtme kolumbiane deklaroi se vendi është i gatshëm ta pranojë Maduron, nëse ai largohet nga pushteti në Venezuelë.
 
"Karaibet janë plot me popujt e vetë Karaibeve dhe kanë shumë mënyra politike dhe ekonomike të organizimit. Nuk ka ujëra ndërkombëtare në Karaibe. Ose raketat bien, ose raketat lëshohen nga ujëra që nuk u përkasin atyre që i lëshojnë. Kjo quhet pushtim. Ne tashmë jemi sulmuar.”, - u shpreh presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro.
 
Kohët e fundit ShBA-ja ka shtuar praninë e tyre ushtarake në Detin e Karaibeve. Trampi pretendon se Venezuela fut lëndë narkotike në ShBA. Nga ana tjetër, vendi latinoamerikan, i cili ka disa nga rezervat më të mëdha të naftës në botë, akuzon Uashingtonin se përpiqet të vendosë kontroll mbi burimet e tij dhe të vjedhë naftën. (Farije Dauti - Bakiu, TVM2)