Zaev në Bullgari: Kriza të zgjidhet në mënyrë paqësore dhe pa dhunë, ne nuk duam skenare si në Ukrainë
Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, pas takimit me kryeministrin bullgar, Bojko Borisov, deklaroi se Maqedonia e ka vendin në BE dhe NATO dhe përmes institucioneve ndërkombëtare bën gjithçka që të tejkalohet kriza politike, e cila shqetëson tërë rajonin...

Ai gjithashtu sugjeroi që kriza politike të zgjidhet në pajtueshmëri me traditën dhe praktikën evropiane, në rrugë të qetë, pa dhunë, sepse nuk dëshiron përsëritjen e skenarit si në Ukrainë.
“Biseduam në këtë takim për marrëdhëniet e mira me Maqedoninë dhe i njoftova ata për mundësinë e zgjerimit të konfliktit në Kumanovë, pasi është korrekte që fqinjët të dinë se ai ishte një konflikt i izoluar, se tashmë u tejkalua ajo gjendje dhe informuam për pritjet tona që i njëjti nuk do të përsëritet. Është i mirëseardhur fakti se ata në përgjithësi drejt Maqedonisë shohin si drejt një vendi fqinjë dhe që janë tërësisht të gatshëm të ndihmojnë shtetin tonë në rrugën drejt BE-së dhe NATO-s. Ata tashmë këtë po e bëjnë përmes institucioneve evropiane"- deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Ndërsa kryeministri Borisov tha se Maqedonia ka mbështetjen e Bullgarisë për anëtarësimin në BE dhe NATO, por edhe që në mënyrë demokratike të zgjidhet kriza politike. Borisov gjithashtu është shprehur se Bullgaria është kundër të gjitha tentimeve për federalizmin e Maqedonisë.
“Nuk përzihemi në punët e brendshme të Maqedonisë, por gjithsesi ne na brengos që atje ka krizë politike. Bëhet fjalë për një shtet fqinj dhe popull më i afërt në Ballkan. Këtu janë përfaqësuesit edhe të opozitës bullgare për të treguar se ne nuk ndahemi në të majtë dhe në të djathtë”- tha kryetari i Bullgarisë, Bojko Borisov.
Zaev ka vlerësuar se pas takimit të liderëve, ku pjesëmarrës do të jetë edhe komisionari, Johanes Han, do të mundohen që bashkërisht të hynë në negociata dhe, bazuar në praktikën e Bullgarisë, të formojnë qeveri teknike pa ndikimin e pushtetit dhe opozitës.( Sanije Kasami, TVM2)
