Maqedoni

MPB, në Negotinë u gjet i varrosur trupi i një gruaje

12.12.2025 14:34

Policia e ka gjetur trupin e gruas 53-vjeçare nga fshati Raven...

Policia e ka gjetur trupin e gruas 53-vjeçare nga fshati Raven, i cili ishte i varrosur në territorin e fshatit Negotinë të Gostivarit. Është arrestuar edhe bashkëshortja e të dyshuarit për vrasje, e cila në stacion policor ka pranuar se burri i saj e kishte vrarë viktimën me armë zjarri dhe ka treguar vendin ku ishte groposur trupi.
 
Më 9 dhjetor, djali i viktimës kishte raportuar se më 7 dhjetor në kamerat e sigurisë ishte parë nëna e tij duke u detyruar të hipte në automjetin “Fiat” të të dyshuarit, dhe që nga ajo ditë nuk ishte e arritshme në telefon.
 
Ai gjithashtu kishte raportuar se natën mes 6 dhe 7 dhjetorit, vrasësi kishte hyrë në shtëpinë e nënës së tij dhe nga dhoma e tij ishin marrë para.
 
I dyshuari, i arrestuar të enjten, kishte dhënë deklaratë të rreme në polici, por pas kontrollit të listës së thirrjeve u konstatua se kontakti i fundit i viktimës ka qenë pikërisht me të më 7 dhjetor. Kundër banorit të Komunës së Vrapçishtit është ngritur kallëzim penal për vrasje.
 
“Zyrtarët policorë nga zyra e jashtme për punë kriminalistike në Gostivar, në prani të prokurorit publik, kryen këqyrje në vendin në territorin e fshatit Negotinë, ku u gjet trupi i H.A. Me urdhër të prokurorit publik, trupi iu nënshtrua autopsisë.”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
 
Për të dyshuarin është caktuar masa e ndalimit të shkurtër prej 48 orësh për sigurimin e provave. Një person tjetër është mbajtur ndërkohë që po kryhen verifikime. Me urdhër të Prokurorit Publik po ndërmerren veprime për zbardhjen e plotë të rastit, njoftojnë nga Prokuroria.
 
FARIJE DAUTI BAKIU