Maqedoni

Vit rekord për Shkupin, aeroporti arrin 3 milionë udhëtarë

12.12.2025 14:49

Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit e priti udhëtarin e tij të tre milionë...

Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit e priti udhëtarin e tij të tre milionë në një vit kalendarik. Fatlumja, Milena Taskova, u befasua në fluturimin e saj Shkup – Bari.
 
Udhëheqësia e operatorit të aeroportit, TAV Maqedonia, së bashku me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e transportit, Aleksandar Nikolloski, i përgatitën një surprizë emocionale zonjës Taskova. Milena Taskova u mbush me dhurata: shërbime falas aeroportuale nga kompanitë motra të TAV-it dhe dy bileta falas avioni nga kompania ajrore Wizz Air.
 
“3 milionë udhëtarë në aeroportin e Maqedonisë, është histori, diçka që për herë të parë po ndodh në RMV. Më vjen mirë që kjo familje e mrekullueshme, e cila po udhëton për në Bari, e kishte fatin që të jetë udhëtari i 3 milionë. Nëse bëjmë krahasimin se çka ndodhej para 10, 20, 30 viteve në këtë aeroport, supozoj se kjo ka qenë një gjë e paparamenduar, por tashmë aeroporti ynë paraqet qendër për gjithë rajonin.”, - deklaroi ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski. 
 
Sipas parashikimeve optimiste të TAV-it, Aeroporti i Shkupit deri në fund të vitit pritet të mbyllet me 3.2 milionë udhëtarë, ndërsa aeroporti i Ohrit pritet të arrijë 262 mijë udhëtarë.
 
“Deri në fund të vitit sipas llogaritjeve tona, presim që aeroporti ndërkombëtar në Shkup të arrijë gjithsej 3.2 milionë pasagjerë, ndërsa aeroporti në Ohër të arrijë 262 mijë pasagjerë që gjithsej në krahasim me vitin 2010 paraqet rritje të pesëfishtë.”, - theksoi drejtori i përgjithshëm i TAV-it – Maqedonia, Nexhat Kurt.
 
Ky sukses jo vetëm që e konfirmon rritjen e trafikut ajror në vend, por edhe e forcon pozitën e Shkupit si një qendër e rëndësishme ajrore rajonale. Ndryshe, Nikolloski njoftoi se nga data 6 prill e vitit të ardhshëm do të nisin linjat e reja ajrore nga Shkupi për në Napoli dhe Budapest.
 
Ndërsa nga 28 qershori do të hapen linjat nga Ohri për në Katovicë, Vroclav dhe Milano, dhe Austrian Airlines do të vendosë linjë të rregullt nga Ohri për në Vjenë.
 
BELINDA KOKA ADEMI