Maqedoni
Migrantët, LSDM: Kredi 6 miliardë euro për strehim
12.12.2025 15:04
Socialdemokratët kanë akuzuar Qeverinë se me kredi prej 6 miliardë euro...

Socialdemokratët kanë akuzuar Qeverinë se me kredi prej 6 miliardë euro do të mirëmbajë migrantët që do t’i akomodojë në vend. Me të njëjtat para, sipas tyre, do të ngrihen banesa sociale.
Veprimin e tillë që LSDM e parashikon në perspektivë, thonë se është pjesë e politikës patriotike e VMRO-DPMNE-së.
“Shteti nuk ka para dhe do të marrë kredi të cilin do ta kthenin fëmijët tanë. Paratë janë për akomodimin e migrantëve, të cilët shtetet e BE-së i përjashtojnë për të ruajtur sigurinë e shteteve, qytetarëve dhe fëmijëve të tyre. Dje, pamë se si nuk janë në gjendje të sigurojnë një qendër të vogël migrantësh, e lëre më të sigurojnë strehim për një numër të madh migrantësh. Në Shqipëri mbërritën migrantët e parë. Në Kosovë janë duke ardhur dhe të gjithë e dimë se Maqedonia është shteti i radhës.”, thonë nga LSDM.
Mickoski për migrantët: Komunat me dokument kundër, padi për shpifësit
Për akuzat e tilla kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëron procedurë penale, ndërkohë që lajmi do të kundërshtohet edhe me miratimin e dokumentit në këshillat komunalë.
“Këshilltarët e VMRO-DPMNE-së gjatë javës së ardhshme do të dorëzojnë dokument në këshilla të komunave dhe do të kërkojnë që të votohet, me të cilin do të bëhet qartë me dije politike anti-migrante, luftës kundër migrantëve ilegalë. Do të qartësohet se në territoret e komunave nuk do të krijohen kampe migrantësh. Gjithashtu në përputhje me kodin penal, do të kërkoj nga institucionet kompetente të nisin procese kundër të gjithë atyre të cilët përhapin frikë, panik. Edhe përkundër përgënjeshtrimeve publike të Qeverisë, ata janë penalisht të përgjegjshëm.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Mickoski më herët është shprehur se do të ikë madje nga politika, nëse në vendin tonë deri në pranverë do të ketë prova për strehim të migrantëve në vendin tonë.
MERAL ISMAILI
