Sinani i ankohet OSBE-së, pozita e shqiptarëve në luginë po përkeqësohet
12.12.2025 15:56
Pozita institucionale, shoqërore dhe ekonomike...

Pozita institucionale, shoqërore dhe ekonomike e shqiptarëve në Luginën e Preshevës po përkeqësohet vazhdimisht, vlerëson kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani.
Këtë qëndrim kryetarja e Preshevës e ka paraqitur në një takim me komisionarin e lartë të OSBE-së për Pakicat Kombëtare, Kristofe Kamp, me ç’rast ajo ngriti si problem serioz moszbatimin e marrëveshjeve të arritura me autoritetet serbe.
“Në këtë kuadër, u ngrit si çështje prioritare mosnjohja e diplomave të universiteteve të Kosovës, e cila po funksionon si mekanizëm i izolimit social dhe ekonomik të të rinjve shqiptarë. U theksua se pamundësia për punësim në administratë, arsim, shëndetësi dhe sektorë të tjerë publikë po prodhon migrim të detyruar dhe po dëmton rëndë potencialin intelektual të rajonit. Një tjetër temë qendrore e diskutimit ishte politika e pasivizimit të adresave, e cila po u mohon mijëra qytetarëve shqiptarë ekzistencën juridike dhe qasjen në të drejta themelore. Kjo praktikë u cilësua si formë e pastrimit etnik administrativ, me pasoja veçanërisht dramatike në Medvegjë, ku komuniteti shqiptar autokton është reduktuar pothuajse në zhdukje.” - tha Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani.
Ajo u ndal edhe te rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak, i cili, në kushtet e nënpërfaqësimit ekstrem të shqiptarëve në strukturat e sigurisë dhe mungesës së besimit institucional, po perceptohet si presion shtetëror dhe po nxit migrim parandalues të të rinjve.
“Takimi adresoi gjithashtu gjendjen në fushën e arsimit, kulturës dhe përdorimit të gjuhës shqipe, ku u theksua mospërputhja e thellë mes të drejtave të garantuara ligjërisht dhe praktikës diskriminuese në institucionet republikane. Mungesa e teksteve mësimore, pengesat për donacionet arsimore dhe moslejimi i institucioneve të arsimit të lartë në gjuhën shqipe u identifikuan si faktorë të izolimit arsimor afatgjatë.”, thekson kryetarja e Preshevës.
Sinani kërkoi nga komisionari i lartë i OSBE-së, krijimin e një mekanizmi të posaçëm monitorues për Luginën e Preshevës, angazhim aktiv për zgjidhjen e çështjes së diplomave me afate të detyrueshme, monitorim të politikës së adresave, mbështetje konkrete për arsimin shqip dhe vendosjen e një dialogu të strukturuar OSBE–Beograd–Preshevë me raporte periodike mbi progresin dhe pengesat. (Gyltene Sinani, TVM2)
