Maqedoni
Doganat, nuk do të ketë vërtetime në letër për borxhin doganor
12.12.2025 16:04
Vërtetimet në letër për borxhin doganor, që janë të nevojshme për regjistrimin...

Vërtetimet në letër për borxhin doganor, që janë të nevojshme për regjistrimin dhe ndryshimet e subjektit juridik në Regjistrin Qendror, po bëhen pjesë e së kaluarës.
Regjistri Qendror i merr këto të dhëna me vetëm një klik, nga Administrata Doganore, në mënyrë elektronike dhe në kohë reale, gjë që për kompanitë dhe qytetarët nënkupton kursim të kohës dhe burimeve.
Njëkohësisht, në këtë mënyrë kemi siguri, integritet dhe saktësi të të dhënave të ofruara, me ç’rast veprojmë në drejtim të parandalimit të mashtrimeve të mundshme. Këtë e theksoi drejtori i Administratës Doganore, Boban Nikollovski, në konferencën e përbashkët për media me drejtoreshën e Regjistrit Qendror, Anita Stamnova, në të cilën u promovua kjo risi në funksionimin e tyre.
“Në nivel vjetor lëshoheshin mesatarisht nga shtatë deri në nëntë mijë vërtetime në letër për borxhin doganor. Kjo nënkuptonte pesë deri në dhjetë ditë për përpunimin e çdo kërkese, gjë që për kompanitë dhe qytetarët në të gjithë vendin paraqiste një barrë administrative. Tani, qytetarët nuk do të kenë më nevojë të vijnë personalisht në administratën qendrore në Shkup apo të angazhojnë avokatë që t’i kryejnë këto shërbime në emër të tyre dhe për llogari të tyre.”, - deklaroi drejtori i Administratës Doganore, Boban Nikollovski.
Drejtoresha e Regjistrit Qendror, Anita Stamnova, thotë se faza e parë e projektit për përmirësimin e sistemit me një sportel është përfunduar me sukses, duke siguruar dëshminë për pagesën e detyrimeve doganore zyrtarisht, në procedurat për regjistrimin e ndryshimeve.
“Faza e dytë me të cilën do të vazhdojmë të punojmë ne si koordinatorë, është ajo në shtesën e dokumenteve që nxirren nga Administrata e të Hyrave Publike. Ajo është vërtetimi i pagesës së tatimit doganor dhe të ardhurave, më tej do të vazhdojnë dhe do të pasojë lidhja me Regjistrin Qendror të Popullsisë, në pjesën që ka të bëjë me marrjen automatike të të dhënave të qytetarëve, por edhe të subjekteve afariste në segmentin e doganës dhe të detyrimeve doganore të paguara.”, - theksoi drejtoresha e Regjistrit Qendror, Anita Stamnova.
Regjistri Qendror dhe Administrata Doganore mbeten të përkushtuara ndaj transformimit të shërbimeve me fokus te përdoruesit dhe nevojat e tyre, duke përdorur teknologji moderne digjitale për të mundësuar shërbime më të thjeshta dhe më efikase.
Në këtë drejtim, ne vazhdojmë të zhvillojmë shërbimet tona dhe i inkurajojmë të gjithë aktorët në ofrimin e shërbimeve publike për bizneset dhe qytetarët që të bashkëpunojnë, me qëllim të zbatimit të shërbimeve elektronike më efikase, pra ndërtimit të një sistemi funksional të shërbimeve publike si bazë për rikthimin e besimit në institucionet e shtetit tonë.
FITORE DEMOLLI
