Botë
Bisedimet për Ukrainën në udhëkryq, Trampi nguron, BE-ja me sanksione të reja
12.12.2025 16:42
Liderët evropianë dëshirojnë t’i vazhdojnë bisedimet për Ukrainën në Paris...

Liderët evropianë dëshirojnë t’i vazhdojnë bisedimet për Ukrainën në Paris, por presidenti amerikan Donald Tramp, kërkon përparim para se të dërgojë këshilltarët e tij për negociata në kryeqendrën franceze.
“Mendova se ishim shumë afër një marrëveshjeje me Rusinë. Mendova se ishim shumë afër një marrëveshjeje me Ukrainën. Në fakt, përveç presidentit Zelenski, të gjithë e mbështesin konceptin e marrëveshjes. Është pak e ndërlikuar, sepse e ndani një territor në mënyrë të caktuar. Nuk është diçka e lehtë, është si një kontratë komplekse pasurie të patundshme e shumëzuar me një mijë, por një kontratë e tillë do të kishte ndaluar vrasjen e mijëra njerëzve çdo muaj.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
Zelenski kërkon armëpushim para zgjedhjeve dhe nënvizon se ShBA-ja duhet të dialogojë me Rusinë për zgjidhjen e krizës.
“Ukraina nuk i shmanget demokracisë. Por që të mbahen zgjedhjet, duhet të ketë garanci sigurie. Dhe Amerika mund të ndihmojë më shumë në këtë drejtim. Nëse tani kërkohen zgjedhje, duhet të ketë armëpushim, të paktën gjatë procesit zgjedhor dhe ditën e votimit, dhe kjo është diçka për të cilën duhet të diskutohet.”, - theksoi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Ndërkohë, vendet anëtare të BE-së arritën një marrëveshje parimore që të ngrinë asetet ruse me vlerë prej 210 miliardë euro për një periudhë të pacaktuar. Nga Moska paralajmërojnë se do të ketë përgjigje.
“Çdo veprim mashtrues i lidhur me rezervat ruse nga Bashkimi Evropian dhe bashkëpunëtorët e tij nuk do të mbetet pa reagim. Nga ana jonë, autorët e kësaj skeme mashtruese do të mbajnë përgjegjësi për të gjitha pasojat negative për ekonominë globale.”, - u shpreh zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.
Ukraina dorëzoi përgjigjen e saj për propozimin amerikan për paqe. Trampi thotë se zgjidhja është afër. Ndërkohë për Evropën situata mbetet kritike në Kiev dhe me rrezik për sigurinë euroatlantike.
Në front luftimet vazhdojnë. Ministria ruse e Mbrojtjes publikoi pamje ku, sipas saj, shihen ushtarë rusë teksa kontrollojnë qytetin e pushtuar Siversk në rajonin e Donetskut.
FARIJE DAUTI BAKIU
